Analisti politik Blerim Burjani ka komentuar për TV Arbëria situatën e krijuar në Kosovë pas ndërprerjes së transportit publik për shkak të mosmiratimit të buxhetit të kryeqytetit.
Burjani ka theksuar se kjo situatë reflekton një paaftësi të klasës politike aktuale dhe rrezikon qytetarët më të ndjeshëm, përfshirë pensionistët dhe fëmijët. Ai ka theksuar rëndësinë e një klase të re politike dhe bashkimin e intelektualëve dhe biznesit për të ndikuar në ndryshimin e skenës politike.
“Ndërprerja e transportit publik dihet që godet më së shumti pensionistët, fëmijët dhe shumicën e qytetarëve që udhëtojnë me transport publik. Një politikë e dëmshme kundër qytetarëve duhet t’i jap fund me zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kosova ka nevojë për një klasë të re politike”, ka thënë Burjani.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje që kryeministri aktual të nënshkruajë dekretin financiar për të zhbllokuar buxhetin dhe për t’i dhënë hapësirë Kosovës që të funksionojë normalisht.
“Po ashtu, klasa e intelegjencës dhe ajo e biznesit dhe intelektualët duhet të bashkohen për të bërë një listë qytetare për të larguar këta njerëz nga skena e qeverisjes. Askush nuk ka kohë më të merret me këta individë, që e kanë çuar shtetin në kollaps social, ekonomik dhe shëndetësor”, ka përfunduar Burjani.