Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka përshkruar aktivitetet dhe arratisjen e Milan Radojçiqit nga Kosova, duke e quajtur atë kryeterroristin e mbështetur nga Serbia.
Sipas Ramadanit, më 23 nëntor 2018, tri javë para votimit të Ushtrisë së Kosovës, Radojçiq u arratis nga vendi, pasi njësitë speciale të Policisë bastisën banesën e tij. Që atëherë, ai nuk është kthyer i lirë në Kosovë.
Eksperti përmend dy raste të ardhjes së tij në Kosovë pas arratisjes: më 4-5 korrik 2022, kur bëri një video kërcënuese, dhe më 24 shtator 2023, kur u shfaq me rreth 90 trupa paramilitare dhe vrau një polic në Banjskë, duke ikur më pas në male nën snajperin e shtetit të Kosovës.
Ramadani thekson se shefi i tij është Aleksandar Vuçiq, ndërsa ndërlidhësi me Rusinë është Aleksandar Vulin. Milan Radojçiq është renditur në Listën e Zezë të SHBA më 8 dhjetor 2021 dhe është i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024.