Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Profesori Dulaj me kërkesë publike për Kryeministrin e ardhshëm: Ministria e Arsimit të udhëhiqet nga profesionistë, jo figura politike

Profesori Dulaj me kërkesë publike për Kryeministrin e ardhshëm: Ministria e Arsimit të udhëhiqet nga profesionistë, jo figura politike

Prof. Dr. Fridrik Dulaj ka publikuar në rrjetin social Facebook një kërkesë publike drejtuar Kryeministrit të ardhshëm të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Në tekstin e tij, ai shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e arsimit në vend dhe kërkon që ministria të udhëhiqet nga një profesionist i pavarur.

Më poshtë, gjeni kërkesën e tij publike:

KËRKESË PUBLIKE DREJTUAR KRYEMINISTRIT TË ARDHSHËM TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
(Pas Zgjedhjeve të 28 Dhjetorit 2025)

I nderuar Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës,

Arsimi në Kosovë prej vitesh ndodhet në gjendje të rënduar dhe kërkon një qasje të re, të përgjegjshme dhe thellësisht profesionale. Mësimdhënësit, prindërit, nxënësit dhe qytetarët kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin e tyre se reformat themelore janë lënë pas dore, ndërsa cilësia në shkolla vazhdon të përkeqësohet.

Në të kaluarën, Ministria e Arsimit është udhëhequr nga figura politike si Agim Veliu, Enver Hoxha, Ramë Buja, Arsim Bajrami, Shyqeri Bytyçi dhe Arbërie Nagavci, gjë që është vlerësuar nga shumë mësimdhënës si një nënvlerësim i inteligjencës dhe profesionalizmit të rreth 30.000 mësimdhënësve që punojnë në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës.

Sipas shumë profesionistëve të arsimit, këto periudha janë kritikuar për disa dobësi të përsëritura, përfshirë:
Perceptimin e një vendimmarrjeje të politizuar, duke u dhënë pozita udhëheqëse individëve të afërt me partitë politike, shpesh të vlerësuar nga komuniteti profesional si me përgatitje të pamjaftueshme akademike.
Dyshimet se këto praktika kanë cenuar cilësinë dhe integritetin e institucioneve arsimore, duke ndikuar negativisht në funksionimin e shkollave dhe në zhvillimin e përgjithshëm të sistemit arsimor.
Mungesën e një strategjie afatgjatë dhe profesionale, e cila do të adresonte problemet strukturore të arsimit dhe do të sillte stabilitet e përparim të qëndrueshëm.

Këto praktika, të perceptuara gjerësisht si të dëmshme, kanë krijuar një klimë mosbesimi dhe kanë ulur dinjitetin e shkollës në Kosovë. Jo rrallë, degradimi i sistemit arsimor është cilësuar nga ekspertët dhe prindërit si një ndër arsyet kryesore që ka shtyrë shumë të rinj të braktisin vendin në kërkim të mundësive më të mira jashtë Kosovës.

Për këto arsye, kërkojmë me vendosmëri që Ministria e Arsimit të udhëhiqet nga një profesionist i vërtetë i fushës, i pavarur, kompetent dhe i përkushtuar vetëm ndaj interesit publik e jo nga figura politike.

Kosova ka kuadro të mjaftueshme profesionale që mund ta marrin këtë përgjegjësi me dinjitet dhe vizion, dhe vendosja e tyre në krye të arsimit është domosdoshmëri kombëtare.

Ky nuk është thjesht një vendim teknik. Është një detyrim moral dhe historik: për hir të gjakut të derdhur për liri, për hir të gjuhës dhe kulturës sonë, dhe për hir të së ardhmes së fëmijëve të Kosovës.

Ju lutemi, mos emëroni në krye të Ministrisë së Arsimit njerëz që “për një plesht djegin jorganin”.

Me respekt,
Prof. Dr. Fridrik Dulaj