Profesori universitar Nexhmedin Spahiu paralajmëron se Kosova mund të përballet me një tjetër periudhë të paqëndrueshme politike pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke theksuar se rezultatet e pritshme nuk do të sjellin ndryshime të mëdha në raportin e forcave politike.
Spahiu u shpreh se zgjedhjet lokale të mbajtura së fundi kanë treguar një pasqyrë të ngjashme me ato parlamentare të shkurtit, gjë që sipas tij, e bën të vështirë të pritet një rikonfigurim i madh politik.
Profesori vlerëson se Vetëvendosja mbetet favorite për të dalë e para, por pa shumicë të mjaftueshme për të siguruar stabilitet institucional.
“VV-ja do të jetë e para, por është herët të flitet saktë – mund të ketë 3-4 deputetë më shumë ose më pak. Edhe nëse i fiton 41 deputetë, me këtë logjikë prapë kemi me shkuar në zgjedhje, sidomos kur vjen puna te presidenti”, theksoi Spahiu, duke paralajmëruar telashe të reja në fazën e paszgjedhjeve.