“Ushtria e Kosovës”, Haradinaj: Isa Mustafa ishte në dijeni dhe më mbështeti – po ashtu Veseli dhe Kurti
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në emisionin Arb Debat ka folur për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe rëndësinë e anëtarësimit të vendit në NATO. Ai ka theksuar se ky proces ka qenë shumë kompleks dhe ka pasur mbështetje nga aktorë të ndryshëm politikë, duke përfshirë Isa Mustafën.
“Ushtria e Kosovës ka qenë një proces shumë kompleks. Kryeministri Mustafa ka qenë në dijeni për këtë punë, e kam pasur nderin ta diskutojmë në familje dhe kam marrë përkrahjen e tij, kuptohet duke u koordinuar dhe konsultuar me aleatët. Ai më tregoi edhe vështirësitë që ka hasur në të kaluarën, së bashku me presidentin Thaçi. Kjo përkrahje më ka ndihmuar shumë. Po ashtu, mbështetje më kanë dhënë edhe zoti Veseli dhe zoti Kurti, sepse kam shkuar dhe jam konsultuar me të,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se, pavarësisht sfidave, Ushtria e Kosovës u formua gjatë mandatit të tij pa pasojë për vendin.
“E kemi arritur që të formojmë Ushtrinë pa asnjë pasojë për Kosovën. Ky ka qenë një proces kompleks, i ndjeshëm, por tashmë është realitet,” tha Haradinaj.
Ish-kryeministri po ashtu theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO:
“Siguria është shumë e kushtueshme dhe e shtrenjtë. Anëtarësimi në NATO e mbyll njëherë e përgjithmonë çështjen tonë të sigurisë. Nëse hyjmë në NATO, siguria na kushton më lirë, nuk jemi vend i rrezikuar, mund të zhvillojmë ekonominë dhe të rritet vlera e vendit tonë”
Haradinaj: Ushtria e Kosovës ka qenë një proces shumë kompleks, por e kemi arritur dhe tashmë është realitet
Ai përfundoi me një reflektim mbi përvojën e tij:
“Unë di me bë këtë punë, shiko bërja e ushtrisë ka qenë shumë proces kompleks, i ndjeshëm, por është arritur, tash është realitet”
“Unë s’kam qenë sekretar i Mbrojtjes së Amerikës, nuk kam qenë shef i Pentagonit, por e kam bërë ushtrinë sikur të isha shef i Pentagonit, sepse e kam marrë bekimin e tij.”