Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vetëm 12 ditë fushatë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit

Vetëm 12 ditë fushatë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e sotme ka folur rreth zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se fushata zgjedhore për subjektet politike do të jetë vetëm 12 ditë, nga 17 dhjetori, deri më 28 dhjetor.

“Periudha për certifikimin e partive politike do të jetë nga data 24 nëntor deri më 30 nëntor. Ky proces është ndryshe nga proceset e tjera, është i ndarë në dy faza. Bëhet fjalë për certifikimin e subjekteve politike dhe certifikimin e listave të kandidatëve të partive politike”.

“Lista e kandidatëve të partive politike, realizohet nga 24 nëntor deri më 7 dhjetor. Pra 7 dhjetori është data e fundit ku partitë politike mund të dorëzojnë listën e kandidatëve në KQZ”, tha Elshani.

Tërheqja e shortit nga ana tjetër, do të bëhet më 8 dhjetor.

Derisa sipas Elshanit, periudha e aplikimit për votuesit jashtë Kosovës fillon më 26 nëntor, dhe mbaron me datën 6 dhjetor. Ndryshe, periudha e votimit me postë nis më 12 dhjetor dhe përfundon më 27 dhjetor.