Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka paraqitur sot kërkesë në Thesar për alokim të parakohshëm të buxhetit të muajit dhjetor. Sipas tij, komuna po kërkon që një pjesë e buxhetit të dhjetorit të shfrytëzohet që tani gjatë nëntorit për të paguar obligime të akumuluara, përfshirë faturat e energjisë elektrike.
Murati theksoi se një veprim i tillë nuk e zgjidh problemin financiar të komunës, por vetëm e shtyn atë, pasi muaji dhjetor më pas mbetet pa buxhet të mjaftueshëm. Megjithatë, ai konfirmoi se Thesari do të miratojë alokimin e kërkuar për të mundësuar pagesën e një pjese të faturave urgjente.
Sipas ministrit, zgjidhja e qëndrueshme do të ishte miratimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës. Ai kritikoi Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila – sipas tij – nuk mori pjesë në seancën e së hënës ku duhej të votohej buxheti i komunës.
“Po të ishte votuar buxheti, nuk do të kishte nevojë për këso improvizime,” deklaroi Murati, duke shtuar se, sipas tij, LDK-ja dje tentoi të fajësonte Ministrinë e Financave për situatën e krijuar, pavarësisht se buxheti nuk u miratua për shkak të mungesës së votave.
Komuna e Prishtinës nuk ka komentuar ende mbi deklaratat e ministrit, ndërsa mbetet të shihet se si do të menaxhohet situata buxhetore përgjatë muajve në vijim./kp