Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Presidentja Osmani edhe po të donte nuk mund të vepronte ndryshe

Presidentja Osmani edhe po të donte nuk mund të vepronte ndryshe

Shkruan: Afrim Kasolli

Ashtu siç pritej, Presidentja Vjosa Osmani e caktoi datën e zgjedhjeve sipas preferencave të Lëvizjes Vetevendosje. Ajo ka bërë të ditur se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen me 28 dhjetor, e jo sic kerkuan partitë “opozitare” me 21 dhjetor. Pas mandatimit të Glauk Konjufces për pozitën e kryeministrit, vetëm me qëllim që të blihet kohë sa më shumë, sepse zyrtarët më të lartë të këtij subjekti politik hapur deklaronin se nuk i kanë votat e nevojshme për votimin e Qeverisë së re, vendimi i sotëm nuk është asgjë tjetër pos pjese e të njëjtit skenar.

Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që Vjosa Osmani nga pozita e të parës së shtetit anon politikisht sipas kërkesave të partisë fituese të zgjedhjeve. Ajo shpeshherë herë e ka shndërruar veten dhe insitucionin që e perfaqeson në zbatuese të vullnetit të Albin Kurtit. Sot Kosova po përballet me skandalin më të madh në sferën e drejtësisë se si një zyrtar i ketij segmenti i kohës së regjimit të Miloseviqit u caktua si Ushtrues Detyre i Krye Prokurorit të shtetit. Ky paradoks erdhi sepse Vjosa Osmani, kishte refuzuar ta dekretonte Blerim Isufajn në këtë pozitë. Mirëpo, opozita atëkohë kishte refuzuar ta dërgonte këtë lëndë ne Gjykatën Kushtetuese, kuptohet për shkak të mos solidarizimit të LDK-se.

Ky rast dhe shumë të tjera dëshmojnë se sa e gabuar ka qenë qasja sidomos e kësaj partisë se trete paralementare se duke e amnistuar presidenten Osmani do të kishin më pak telashe me të.

Përkundrazi, sikur të kishte ndodhur e kundërta, ajo mbase nuk do të ishte as në këtë pozitë, për shkak të shkeljeve eventuale kushtetuese. Do ta përfundonte mandatin në mënyrë të palavdishme, ku nga dëshira për t’i sherbyer pushtetit i kishte shpërfillur si detyrimet shtetërore ashtu parimet profesionale juridike. Kjo do ta dobësonte edhe forcën reale politike të Albin Kurtit. Por ndodhi e kundërta. Prandaj, ajo sot e ka shansin që t’i shërbejë deri në fund me besnikëri kalkulimeve elektorale te liderit të Vetëvendosjes. Ajo edhe po të donte nuk mund të vepronte ndryshe. /TV Arbëria