Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në mbështetje të Planit të Përbashkët Operativ të iniciuar nga Policia e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës ka realizuar aktivitete inspektuese në biznese me rrezik të shtuar për trafikim me qenie njerëzore, duke u fokusuar në qendrat e mirëmbajtjes trupore/masazhit dhe objektet e gastronomisë/ lokalet e mbrëmjes me muzikë live.
Plani është zhvilluar në linjë me Strategjinë Kombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz 2022–2026 dhe ka përfshirë edhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) si dhe Inspektoratin e Punës, duke siguruar koordinim të plotë ndërinstitucional, raporton KosovaPress.
Gjatë datave 10–14 nëntor, ATK ka angazhuar 30 ekipe inspektuese, 60 inspektorë, të cilat kanë realizuar 106 inspektime në të gjitha regjionet e Kosovës, ku janë konstatuar 20 raste të mos fiskalizimit, 35 raste të mos lëshimit të kuponëve fiskalë, 157 punëtorë të paregjistruar dhe një rast me mall pa dokument.
ATK mbetet e përkushtuar për trajtim të drejtë të të gjitha bizneseve, me qëllim forcimin e ligjshmërisë, rendit dhe krijimin e një tregu të rregullt në vend.