Një zjarr ka përfshirë një kompani në magjistralen Ferizaj–Kaçanik, në afërsi të udhëkryqit me rrugën “Driton Islami”, në Ferizaj.
Rasti është raportuar sot rreth orës 09:15.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Kanun Veseli, ka konfirmuar se menjëherë pas raportimit të rastit, zjarrfikësit dhe njësitë policore kanë dalë në vendngjarje.
“Rreth orës 09:15 kemi pranuar një informatë për një incident zjarri që ka përfshirë një kompani në magjistralen Ferizaj–Kaçanik. Janë njoftuar zjarrfikësit, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet e policisë. Nuk raportohet për persona të lënduar,” deklaroi Veseli.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë të njohura, ndërsa ekipet përkatëse po punojnë në lokalizimin dhe shuarjen e tij.