Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar me një shkrim të gjatë një ditë pas barazimit 1:1 ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës në “Fadil Vokrri”, ndeshja e fundit kualifikuese drejt Kupës së Botës 2026.
Zvicra u kualifikua direkt, ndërsa Kosova do ta kërkojë biletën përmes Play Offit, shorti hidhet të enjten.
Ademi ka dënuar fishkëllimat ndaj kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës, duke i cilësuar të panevojshme dhe të paarsyeshme.
Ai theksoi se Xhaka dhe Shaqiri janë “aset kombëtar”, ashtu si Dua Lipa, Rita Ora e Ramë Lahaj, ndërsa Granitin e quajti “gjithmonë të mirëpritur në atdheun e tij”.
“Gjithmonë kemi theksuar se individët si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë aset kombëtar dhe ambasadorët më të mirë të popullit tonë, ashtu si Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj e shumë të tjerë”, ka shkruar Ademi.
Kryetari po ashtu nënvizoi se fishkëllimat nuk kanë ardhur nga tifo-grupi “Dardanët”, duke shtuar se ngjarje të tilla janë të pashmangshme në stadiume, por duhen dënuar.
“Ne i gjykojmë fishkëllimat që ndodhën, edhe pse ato nuk erdhën nga e gjithë masa dhe as nga tifo-grupi ‘Dardanët’, por gjërat negative ndonjëherë janë të pashmangshme në stadiume. Ato kanë qenë të panevojshme dhe të paarsyeshme dhe i gjykojmë, sikurse i gjykojmë edhe deklaratat e atyre që vjellin vrer edhe kur Kosova shënon rezultate kulmore”, ka shkruar Ademi.
Në fund, Ademi falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kombëtares.