Vitin 2025 e nisëm me zgjedhje nacionale e po e përfundojmë po ashtu me zgjedhje të jashtëzakonshme.
Edhe mandatari i dytë i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, dështoi të marrë votat e nevojshme për ta formuar qeverinë e re të Kosovës.
Konjufca mori 56 vota për, 53 kundër dhe 4 abstenime.
Ky fakt automatikisht na tregon se Kosova edhe në vitin 2026 do të hyjë pa qeveri të re. Gjë që ka shumë pasoja.
Një vit i tërë shkoi me lojëra politike, më qartë një cirk politik, secili duke e hedhur fajin te tjetri, e në të njëjtën kohë shteti i Kosovës askund.
Hyrja në vitin 2026 pa buxhet do të thotë se Kosova do të ketë dëme afatgjata në ekonominë e vendit, duke frenuar investimet dhe duke dobësuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
Pa buxhet gjithashtu rrezikohet që shumë sektorë publikë të mbesin edhe pa paga.
Krejt kjo situatë nga analisti Afrim Kasolli shihet si strategji nga Lëvizja Vetëvendosje për ta paraqitur ish-opozitën si bllokuese, si dhe qëllimi është që në fundvit, kur vijnë mërgimtarët, të mbahen zgjedhjet.
“Dështimi i mandatarit Glauk Konjufca për t’i siguruar votat e nevojshme për Kryeministër ishte pjesë e një drame të përgatitur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj Albin Kurti. Kjo strategji lidhet me pretendimet e këtij të fundit për të shkuar në zgjedhje me kauzën e liderit të vetëm që ishte i gatshëm për kompromise, madje duke e sakrifikuar edhe veten politikisht për hir të shtetit, për t’i paraqitur subjektet tjera politike si bllokuese e që janë në gjendje ta rrezikojnë edhe buxhetin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, si dhe për ta shfrytëzuar situatën për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme në kohën kur është prezenca më e madhe e diasporës në vendin tonë me rastin e festave të fundvitit. Kjo lojë hedh dritë edhe mbi zvarritjet e deritanishme në formimin e institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, u shpreh Kasolli. /TV Arbëria