Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Wesley Clark mbron UÇK-në dhe Hashim Thaçin: Akuzat për trafikim organesh dhe spastrim etnik i quajti propagandë

Wesley Clark mbron UÇK-në dhe Hashim Thaçin: Akuzat për trafikim organesh dhe spastrim etnik i quajti propagandë

“Nuk kishte komandë. Nuk kishte kontroll. Dhe akuzat për trafikim organesh? Propagandë ruse.” Këto ishin disa nga deklaratat më të forta të gjeneralit amerikan Wesley Clark, i cili për dy ditë me radhë dëshmoi në mbrojtje të Hashim Thaçit në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s në Evropë dhe njeriu që udhëhoqi fushatën ajrore kundër forcave të Millosheviqit, tha se UÇK-ja në vitet ’90 funksiononte si grupe lokale të vetorganizuar, të motivuara dhe të pavarura – jo si një ushtri e centralizuar me hierarki të qartë.

Sipas tij, as NATO dhe as forcat speciale amerikane nuk kishin mundur të siguronin informacion të besueshëm për një strukturë komanduese të UÇK-së, e aq më pak për një Shtab të Përgjithshëm të mirëfilltë. Clark mohoi kategorikisht akuzat për spastrim etnik ndaj serbëve, duke thënë se nuk ka parë prova për një gjë të tillë.

Për pretendimet për trafikim organesh, ai u shpreh qartë: “Nuk ka kuptim. Ishte thjesht dezinformim rus.” I pyetur për akuzat se UÇK-ja ishte organizatë terroriste, Clark u përgjigj se njerëzit që luftojnë kundër shtypjes nuk mund të etiketohen si terroristë, por si luftëtarë lirie.

Sa i përket Hashim Thaçit, Clark tha se nuk ka arsye të besojë se ish-udhëheqësi politik i UÇK-së kishte kontroll mbi individët që mund të kenë kryer akte të dhunshme. “Askush nuk kishte mekanizëm kontrolli mbi atë që ndodhte në terren,” theksoi ai.

Me këtë dëshmi të fuqishme, Wesley Clark u bë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit – duke e mbyllur fazën mbrojtëse me një mbështetje të hapur politike, ushtarake dhe morale për UÇK-në. /TVArbëria