Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Basri Beka: “Po, jam islamofob – nga vetëdija, jo nga urrejtja”

Basri Beka: “Po, jam islamofob – nga vetëdija, jo nga urrejtja”

Basri Beka ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale pas një postimi ku deklaron hapur se “është islamofob”, duke theksuar se qëndrimi i tij buron, siç thotë ai, nga mbrojtja e identitetit kombëtar dhe jo nga urrejtja fetare.

Në shkrimin e tij, Beka pohon se në çdo postim të tij “shfaqet e njëjta tufë komentuesish islamik”, të cilët sipas tij “nuk u intereson tema, nuk u intereson argumenti”, por kanë për qëllim “patrullimin e çdo mendimi që nuk i bindet ideologjisë së tyre”.

Ai e përshkruan këtë sjellje si “militancë të pastër”. Beka i përgjigjet akuzave se është “përçarës”, duke thënë: “Po, jam përçarës – nëse përçarje quhet mbrojtja e lirisë kundër fanatizmit.” Ai shton se “infiltrimi ideologjik nis me fjalë të buta dhe përfundon me kontroll të hapësirës publike”.

Duke iu përgjigjur akuzave se është “pro-serb”, Beka shkruan: “Jam rritur me plagët e pushtimit serb… Nga celulat e para të UÇK-së e deri te Radio Kosova e Lirë – unë kam qenë aty ku duhej, jo në komente Facebook-u.”

Ai thekson se shpërblimi i tij ishte “12 qershori i vitit 1999”, duke e cilësuar këtë ditë si të mjaftueshme për të vërtetuar angazhimin e tij kombëtar. Pjesa që ka ngjallur më shumë debat është deklarata ku ai thotë: “Po. Jam islamofob – dhe këtë e pranoj publikisht.”

Ai shton se nuk e ka këtë qëndrim ndaj besimtarëve të qetë, por ndaj atyre që i quan “militantë, komentues agresivë dhe importues ideologjish të huaja”. Sipas Bekës, rreziku kryesor është “islami politik”, të cilin ai e përshkruan si “projekt, jo fe”.

“Ky version nuk flet për paqe, por për nënshtrim. Nuk flet për shpirt, por për ideologji.” Ai pretendon se ky fenomen po tenton të deformojë identitetin shqiptar, duke thënë se sot “përçmohet Gjergj Kastrioti, fyhet Nënë Tereza, relativizohet Adem Jashari, tallet Kanuni dhe mohohet orientimi europian”.

Sipas Bekës, kjo gjendje paraqet rrezik për brezat e rinj: “Narrativa e re është: ‘Kombi është i dorës së dytë; feja është e para’. Kjo është formula e shkatërrimit.” Ai e mbyll postimin me një deklaratë të fortë: “Jam islamofob sepse dua Kosovën. Nuk hesht. Sepse heshtja është tradhti – ndaj vendit, ndaj vetes, ndaj së ardhmes”.