Biznesmeni Qëndrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me krimin në vend, të bëra në media ndërkombëtare. Ai thotë se si investitor në Kosovë është “më i lënduar se kurrë” nga qëndrimi i Presidentes, të cilin e cilëson si denigrues për imazhin e shtetit.
“Në një kohë kur shumë investitorë janë duke u munduar me mish e me shpirt ta dërgojnë përpara shtetin e tyre, Presidentja jonë e rrënon këtë angazhim të përbashkët”, shkruan Kryeziu, duke theksuar se qytetarët dhe bizneset po kontribuojnë në zhvillim, promovim kulturor e turizëm, përfshirë artistë si Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha.
Ai kritikon deklaratën e Presidentes Osmani, e cila sipas tij “e ka kualifikuar Kosovën si tokë pjellore të krimit”, duke treguar se janë “çrrënjosur 900 banda kriminale” gjatë mandatit të saj. Kryeziu thotë se kjo përshkrim u shërben narrativave të Beogradit.
“Kualifikimi i shtetit si parajsë e krimit është dhurata më e çmuar që mund t’i ofrohet propagandës serbe kundër shqiptarëve”, thekson ai, duke shtuar se këto qasje i kujtojnë akuzat e hershme që Serbia ka bërë ndaj UÇK-së.
Në reagimin e tij, Kryeziu sjell edhe një llogaritje ironike sa i përket numrit të të ashtuquajturave “banda kriminale”.
“Sipas përllogaritjeve të Vjosa Osmanit, shkatërrimi i 900 bandave me nga 10 anëtarë do të nënkuptonte 9 mijë të arrestuar. Duke llogaritur familjarë e shokë, del që gati 10% e shoqërisë të jetë e lidhur me krimin – gjë e pakuptimtë dhe absurde”.
Në fund, ai e pyet Presidenten nëse këto deklarata janë të paqëllimshme apo të sinkronizuara me diskursin e kritikëve të tjerë të institucioneve shtetërore.
“Presidente, a mos ke hyrë pa hiri apo me qëllim në livadhet e Dimal Bashës?” shkruan biznesmeni.