Dogana e Kosovës ka njoftuar se më 17 nëntor 2025, rreth orës 16:30, njësitet Antikontrabandë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë një aksion të suksesshëm në rajonin e Leposaviqit. Gjatë zbatimit të një plani operativ në fshatin Junake, autoritetet kanë ndaluar një automjet që kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes vijës së gjelbër, respektivisht rrugëve të paautorizuara.
Gjatë kontrollit të automjetit është zbuluar se brenda tij transportoheshin rreth 600 kilogramë djathë, veshmbathje tekstili dhe medikamente, mallra me vlerë të përafërt prej rreth 7,000 eurosh. Sipas njoftimit të Doganës, i gjithë malli është sekuestruar, ndërsa janë iniciuar procedurat ligjore sipas kompetencave të institucionit.
Rasti po hetohet në koordinim me organet kompetente, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe identifikimit të përgjegjësve. Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm, duke vepruar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sigurisë.