Biznesmeni Qëndrim Kryeziu ka uruar 31-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë historike të datës 17 nëntor 1994 dhe rolin e themeluesve të saj.
Në një postim publik, ai shkruan:
“URIME UÇK 31 vjetori i themelimit! Nuk mund të ketë nderim të sinqertë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa e përkujtuar edhe datën e themelimit të saj. Kjo trashëgimi lidhet me datën 17 nëntor 1994 në Tiranë”.
Kryeziu e thekson se, pavarësisht mendimeve të ndryshme, faktet historike mbesin të pandryshueshme.
“Mbase dikujt mund edhe të mos i pëlqejnë themeluesit e saj, por historia nuk mund të ndryshohet e as të mohohet”.
Ai përmend emrat e themeluesve të UÇK-së, duke theksuar rolin dhe guximin që shënoi fillimin e një epoke të re për popullin shqiptar.
“Para 31 viteve z. Azem Syla, z. Xhavit Haliti, z. Nait Hasani dhe z. Xheladin Gashi-Plaku, bënë nismëtarët e krijimit të Ushtrisë më të lavdishme për çlirim kombëtar që nga koha e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.
Sipas tij, nën drejtimin e këtij formacioni historik, shqiptarët u bashkuan rreth idealit të lirisë.
“Shqiptarët vepruan si një komb i tërë, u zgjuan për liri, u sigurua mbështetja e Perëndimit në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Kosova e fitoi lirinë dhe shtetësinë”.
Ai shton se këto fitore dikur dukeshin të paarritshme.
“Suksese këto që jo shumë kohë më parë janë dukur të paimagjinueshme për shumë kënd”.
Në përmbyllje, Kryeziu thekson rëndësinë e njohjes së meritës së themeluesve.
“Nëse të gjitha këto arritje janë fisnike, atëherë i tillë mbetet edhe vizioni i atyre që e filluan këtë rrugëtim unik në historinë tonë. Çdo mbrojtje e kësaj trashëgimie nuk është e plotë pa ua njohur vendin meritor nismëtarëve të saj”.