Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara të Hagës në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se pas vrasjes së familjes së Adem Jashari i ishte thënë se shqiptarët do të kundërpërgjigjeshin dhe se për këtë ai e kishte njoftuar Pentagonin. Pas kësaj ish-gjenerali amerikan deklaroi se nga ky moment kishte lindur plani për ndërhyrje të NATO-së.
Clark është dëshmitari i shtatë dhe i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.Ai e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.
Në sallën e gjykimit janë të pranishëm katërshja e akuzuar, ish-presidenti, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarët, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi.
Fillimisht, avokati mbrojtës i Thaçit, Lluka Misetiq, e bëri një përmbledhje të asaj çfarë pritet të dëshmojë Clark sot dhe ditët në vazhdim.
Ndërsa, ai shtoi se në Dejton si së bashku Richard Holburk e kishin kontaktuar Sllobodan Millosheviqin por ai nuk kishte dashur të fliste lidhur me situatën në Kosovë.
“Unë dhe Richard Holburk e kontaktuam dhe ai tha se nuk do të flas për këtë është shteti im, problemi im, refuzoi të fliste për këtë temë dhe u përpoq më shumë se një herë ne e dinim që ishte e rrezikshme kjo gjë e dinim që kishte vështirësi për këtë gjë, por ai donte të fliste për këtë gjë“, theksoi Clark.
Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të Nato-s gjatë dëshmisë së tij tregoi se si pas vrasjeve të familjes Jashari nga forcat serbe ishte takuar me presidentin e atëherë të Maqedonisë, Gligorov dhe ai i kishte thënë se pas kësaj ngjarje shqiptarët do të kundërpërgjigjeshin pasi nuk do ta pranonin një ngjarje të tillë.
“Unë shkova në Maqedoni më duket se kanë qenë ditët e para të marsit kishim një task-forcë amerikane të vendosur në Maqedoni q]ë ishte vendosur para disa vitesh për të qëndruar në kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë…Nuk kisha qenë asnjëherë atje shkova ta inspektoja kisha qenë komandant i kësaj pike përreth 7 muaj shkova atje menjëherë më merr në telefon ambasadori amerikan në Shkup, Chrisopher Hill dhe më thotë se duhet biseduar menjëherë me presidentin e Maqedonisë kisha dëgjuar raporte se ishte vrarë familja e Jasharajve kishte shqetësime për këtë gjë por kur shkova të takoj presidentin Gligorov ai më shpjegoi se tani do të filloj një konflikt për shkak të kësaj, kjo vrasje do të nxisë një konflikt. Ai më tha shqiptarë do të kundërpërgjigjen nuk do ta pranojnë këtë që ndodhi, shqiptarët do t’i kundërpërgjigjen kësaj vrasje”, tha ai.
Ndërsa, në lidhje me planin e veprimit që e kishte planifikuar Clark pas takimit me presidentin e Maqedonisë, Gligorov, ish-gjenerali amerikan tha se kishte komunikuar me Pentagonin ku i kishte njoftuar për mundësitë që Millosheviq të krijonte një konflikt të ri në Kosovë.
Dhe pas takimit ministror në majin e vitit 1998 i ishte kërkuar atij që të krijonte një plan.
“Pasi u takova me presidentin Gligorov kontakova menjëherë Pentagonin t’i njoftoja personelin atje dhe t’i paralajmëroja që Millosheviqit do të krijonte një konflikt të ri do të qelte një konflikt të ri dhe u sugjerova se mbase duhet përsëritur paralajmërimi i ashtu quajtur krishtëlindjes i 1992 në këtë pikë SHBA dhe NATO thanë se ne s’kemi asnjë politikë për Kosovën dhe gjatë periudhës mars prill 98 sulmet serbe ndaj popullatës në Kosovë u ngritën gjithnjë e më shumë u përshkallëzuan deri në pikën sa ministrat e jashtëm filluan flisnin me sekretaren amerikane për këtë problem dhe unë mendoja se e dija ç’duhet bërë në këto kushte. Por sipas procedurave të NATO nuk kishim asnjë autoritet pa pasur udhëzime politike, nuk kishte plane konkrete fola me sekretaren amerikane të shtetit për këtë nuk kam fol me asnjë ministër të jashtëm për këtë çështje, më udhëzuan SHBA të mos flisja për këtë çështje me askënd tjetër. Por, mendoj se ajo që ndodhi takimet ministrore në pranverë mbas maj 1998 më kërkuan atje të përgatitja një plan nuk e di a kanë qenë ministrat e jashtëm apo të mbrojtjes po aty lindi udhëzimi që të përgatitej një plan”, tha ai.
Clars shpalosi planin që kishte hartuar për fushatën ajrore të NATO-së.
“Së pari duhet të merrja leje për të hartuar një plan të NATO-së i takonte që shumë asete dhe zëra të SHBA do të ishin pjesë e këtij plani. Filloi me një ide që do të demonstronte kompetencën dhe fuqinë e SHBA për të vijuar me sulmet mbi Serbinë dhe kishte një lloj zhvillimi nëse ky spastrim do të vazhdonte më tej atëherë ne do të vazhdonim me fushata bombarduese në Kosovë dhe nëçoftëse Millosheviq nuk do të bindej atëherë ne do të vazhdonin me bombardime në Serbi, dhe nëse as kjo nuk do të funksiononte kishim opsione për të shkuar në rrugë tokësore”, tha ai.
Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Ëesley Clark periudhën e vitit 1998 e ka quajtur të dhimbshme për popullin shqiptar.
“Ka qenë një periudhë e dhimbshme sepse më kujtohet në një pikë një brigadier nga ushtria shqiptare erdhi për tu takuar me mua më tha shikoni se si cilat është situata në Kosovës, ndërkohë ne shikonim se cila ishte rrethana sepse në fakt po hidhnin obërtaja, bomba dhe po luftonin në të gjitha format e mundshme në fshatrat shqiptar dhe flitet për të njëjtin person dhe të njëjtin proces”,tha ai.
Ndërsa, edhe Clark është duke u shoqëruar në gjykatoren e Hagës nga përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Terra Gerhard Serra.
Në fillim të kësaj seance trupi gjykues njoftoi se mbrojtja e Thacit kishte kërkuar urgjentisht ndryshimin e listës së provave materiale. Prokuroria nuk e kishte ndryshuar këtë, për rrjedhojë kërkesa u pranua.
Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Ëilliams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.
Më 22 shtator dëshmoi edhe John Steëart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit Clark në NATO, i cili e përmbylli dëshminë një ditë më vonë. Ndërkaq, më 30 shtator ka filluar dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, i cili ka mbyllur paraqitjen më 2 tetor.
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se 14 nëntori shënon përfundimin e fazës së mbrojtjes.
Parashtresat përfundimtare, si dhe deklarimet për ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat, pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.
Në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe e fundit ka qenë në Strasburg.
Ndërsa, më 5 nëntor janë bërë 5 vite prej kur katërshja e UÇK-së ndodhen në paraburgim. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm./kp