Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Çka deklaroi ministrja në detyrë për akuzat, rezervat shtetërore dhe certifikatat e sigurisë

Çka deklaroi ministrja në detyrë për akuzat, rezervat shtetërore dhe certifikatat e sigurisë

Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndaj të cilës Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë para pak ditësh për rastin e rezervave shtetërore, sot ka dalë në një konferencë për media, duke u munduar të arsyetojë të gjitha veprimet e ndërmarra dhe mënyrën e veprimit si ministri e Qeveri për sigurimin e rezervave shtetërore.

Hajdari ka thënë se Prokuroria Speciale do të duhej të merrte parasysh faktin që kishin dështuar për tri herë procedurat e prokurimit, për të siguruar rezervat shtetërore përmes operatorëve ekonomik.

Ajo ka thënë se në atë kohë ishte jetike që të siguroheshin rezervat shtetërore meqë shumë shtete kishin ndaluar eksportin.

Ajo ka përmendur edhe luftën në Ukrainë, si një prej arsyeve se pse ishte miratuar kërkesa për përjashtim nga procedurat e prokurimit për furnizim të rezervave shtetërore.

Ishte jetike të siguroheshin rezervat shtetërore. Siguria kombëtare ishte në rrezik. Gjatë periudhës Shkurt-mars 2022, Ministria e Tregtisë s’ka mundur të realizojë asnjë ofertë me operatorë ekonomik, meqë shtetet tjera ndaluan eksportin. Si rezultat i 3 shpalljeve që rezultuan pa sukses për konsolidimin e rezervave dhe si rezultat i luftës në Ukrainë, si ministri miratuam kërkesën që të përjashtohen procedurat”, ka thënë ajo.

Sipas saj, shmangia nga procedurat lejohej edhe me ligj.

Në kohë të luftës, ishte me rëndësi të mbronim sigurinë tonë kombëtare. Një procedurë e tillë ishte e paraparë dhe e lejuar me ligj”, ka thënë Hajdari.

Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, në konferencën për media për aktakuzën që është ngritur ndaj saj, dy zyrtarëve të ministrisë dhe Ridvan Muharremit, ka thënë fillimisht se kryeministri Albin Kurti s’ka asnjë lidhje me këtë çështje, shkruan Express.

Menjëherë pas kësaj, ajo ka thënë se Kurti e ka vetëm një lidhje, kur ka aprovuar kërkesën për shmangien nga procedurat e prokurimit për sigurimin e rezervave.

Sipas ministres, kjo kërkesë ishte e ligjshme dhe se vendimi i Kurtit ishte e vetmja ndërhyrje e Qeverisë.

Këtu s’ka asnjë lidhje kryeministri Kurti. Kryeministri Kurti ka të vetmën lidhje që ka aprovuar kërkesën tonë të ligjshme për largimin nga procedurat e prokurimit publik, sepse dështuam tri herë. Kjo është e vetmja ndërhyrja ligjore e Qeverisë”, ka thënë ajo.

Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se nuk do të japë dorëheqje pas aktakuzës që iu ngrit për rastin e rezervave shtetërore.

Ajo tha se ndihet krenare për punën e saj, ndërsa akuzoi Prokurorinë Speciale se ka ngritur aktakuzë me të pavërteta.

Jo, asnjëherë. Jam më së krenare dhe më së e lumtur për punën që kam bërë për të mirën e popullit tim dhe Kosovës”, tha ajo.

E pyetur nëse kryeministri në detyrë Albin Kurti do t’i shërbente në favor të saj po t’i përgjigjej ftesës së prokurorisë si dëshmitar, Hajdari u rezervua të flasë.

Unë sot nuk do të vendosi se kush do të jetë dëshmitar”, tha ajo.

Jam më së e lumtur që populli im është më i sigurt me rezervat e shtetit”.

Ministrja në detyrë e tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se e ka njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për aktakuzën që është ngritur ndaj saj për rastin e rezervave shtetërore.

Është detyrë e ministrit që kur ndodh një e re në ministri, të raportojë të kryeministri. Unë gjithmonë e informoj. Këto janë komunikimet tona të brendshme”, ka thënë ajo.

E pyetur se cili do të jetë vendimi përfundimtar i saj pas gjithë kësaj ngjarje, Rozeta Hajdari ka thënë se atë e ka emëruar kryeministri Kurti në ministri dhe s’ka vendosur që të bëhet vetë ministre.

Unë s’kam vendos me ardhë në ministri, ka vendos kryeministri Albin Kurti”, ka thënë ajo.

Ministrja e tregtisë dhe industrisë, Rozeta Hajdari, në fund të konferencës për media është pyetur nëse ka pasur certifikatë sigurie nga AKI i akuzuari i Prokurorisë Speciale për rastin e rezervave, Ridvan Muharremi, meqë është përfshirë në gjithë procesin e sigurimit të tyre.

Ajo pa përmendur me emër, ka thënë se të gjithë ata që janë përfshirë në procese të klasifikuara paraprakisht u janë nënshtruar procedurave bazuar në udhëzimet e AKI-së.

Të gjithë operatorët ekonomik që kanë hyrë në negocim, përfshirë operatorët për blerje, për depozita, vendndodhje, të gjithë janë nënshtruar procedurave sipas udhëzimeve të AKI-së. Asnjë nuk është që ka hyrë pa një procedurë me qasje në një proces që është klasifikuar si sekret”, ka thënë ajo.\TVArbëria