Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Deliu-Kodra i reagon Borrellit pas deklaratës për Thaçin

Deliu-Kodra i reagon Borrellit pas deklaratës për Thaçin

Arrestimi i ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale është përmendur sot nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell gjatë një fjalimi të tij në Forumin për Drejtat e Njeriut.

Borrell tha se Thaçi u arrestua nga policët e EULEX-it derisa ishte president dhe se tani ndodhet në Hagë për t’u përballur me drejtësinë.

Ndaj kësaj deklarate të zyrtarit të BE-së, ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra në një postim në Facebook ka shkruar se deklarata e Borrellit është në një linjë me pretendimet skandaloze të Gjykatës Speciale.

“Deklaratat e Borrellit janë në linjë me pretendimet skandaloze të Prokurorisë së Dhomave Specializuara të Kosovës. Një dëshmi që BE-ja tashmë është pozicionuar jo për një gjyq fer dhe të paanshëm të krerëve të UÇK-së, por me pretendimet skandaloze të Prokurorisë”, ka shkruar Deliu-Kodra.

Që nga nëntori i vitit 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi gjenden në paraburgim në Hagë, nën pretendimet e Gjykatës Speciale për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.   /TV Arbëria

Powered by WordPress