Kanë mbetur edhe pesë ditë afat për mandatarin e VV-së Glauk Konjufca për të formuar qeverinë.
Konjufca brenda këtyre ditëve është në kërkim të 61 votave për të arritur formimin e qeverisë.
48 deputetët e VV-së, shtojmë këtu edhe 10 votat e komuniteteve, 58 vota; Konjufcës i duhen eventualisht edhe 3 vota për t’u bërë kryeministër i Kosovës.
Partitë tjera PDK, LDK e AAK publikisht janë deklaruar se nuk kanë votë për Konjufcën dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Në anën tjetër, analisti politik Shemsi Jashari në një përgjigje për TV Arbëria tha se nuk ka ndonjë shans real që Konjufca të formojë qeverinë.
Nuk ka asnjë shans real që mandati i Glauk Konjufcës të prodhojë qeveri, për disa arsye të qarta:
“Nuk ekziston shumica parlamentare dhe asnjë parti opozitare, PDK, LDK, AAK apo grupet e tjera, nuk ka shprehur gatishmëri të japë vota për VV-në. Përkundrazi, të gjitha kanë deklaruar publikisht se nuk ka asnjë votë për këtë mandat, duke e bërë matematikisht të pamundur arritjen e 61 votave.
Nuk ka deputet që rrezikon karrierën për një qeveri 3–4 mujore; nuk kanë asnjë arsye politike, morale apo elektorale për t’u “thyer” dhe për të mbështetur një qeveri të përkohshme. Pra, asnjë deputet nuk rrezikon të bëhet “votë shpëtimi” për një qeveri jetëshkurtër dhe pa fuqi reale politike. Çdo deputet që do e bënte këtë, do ta digjte karrierën përgjithmonë në sytë e elektoratit të vet.
Lëvizja Vetëvendosje është në raport të tensionuar me partnerët ndërkombëtarë dhe askush nga aleatët kryesorë nuk po e shtyn idenë e një qeverie të re brenda këtij mandati. Pa përkrahje ndërkombëtare, askush në Kuvend nuk merr këtë barrë mbi vete.
Një arsye tjetër është se mandatimi i Konjufcës shihet si veprim formal, jo i sinqertë. Opozita e sheh nominimin e Glauk Konjufcës si përpjekje për shtyrje kohe, jo si tentim real për qeveri. Prandaj, asnjë parti nuk hyn në negociata për një proces që e konsideron të mbyllur politikisht.”, ka thënë analisti për TV Arbëria.