Avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për TV Arbëria, ka komentuar dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë amerikanë të dhëna javëve të fundit në Hagë, në kuadër të gjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, duke theksuar se këto dëshmi kanë shkuar në funksion të mbrojtjes dhe të vërtetës.
“Dëshmia e Ambasadorit Hill, ishte e pritshme dhe vetëm sa e përforcoi edhe më shumë tezën e mungesës së strukturës dhe zinxhirit komandues të UÇK-së, të cilën e paraqiti mjaft mirë dhe qartë në dëshminë e tij z. Rubin, e cila u pasua edhe nga dëshmitarët tjerë të mbrojtjes. Z. Hill në mes tjerash paraqiti vështirësi në drejtim të komunikimit në mungesë të një strukture dhe zinxhirit komandues gjë që vetëm sa e forcon bindjen në drejtim të të kundërtës së asaj që pretendon Prokuroria. Prandaj, edhe dëshmia e z. Hill, ishte në vazhdën e dëshmive që jo vetëm se shkojnë në funksion të mbrojtjes, por para së gjithash shkojnë në funksion të konstatimit të së vërtetës”, ka deklaruar Bajraktari.
Ai ka shtuar se edhe dëshmia e dëshmitarit tjetër, z. Durkee, ka qenë në linjë me mbrojtjen e Thaçit.
“Kurse dëshmitari z. Durkee, saktësoi se z. Thaçi dhe të tjerët janë angazhuar saktësisht në drejtim të të kundërtës së asaj që pretendon prokuroria, dhe se angazhimi eventual në ato që i ngarkon prokuroria, po ashtu sqaroi mungesën e zinxhirit komandues në UÇK, si dhe faktin se z. Thaçi nuk kishte mundësi e as autoritet të ushtronte kontroll në terren, përkatësisht sqaroi se ai e kishte të pamundur ta ndalonte dhunën, dhe se gjendja në terren pas përfundimit të luftës ishte e rëndë dhe kaotike, andaj rrjedhimisht nuk mund të ushtrohej kontroll, e aq më pak nga katërshja e UÇK-së”, ka theksuar ai.
Sipas Bajraktarit, këto dëshmi pritet të mbështeten edhe më tej nga ish-komandanti i NATO-s.
“Këto pikëpamje pres të përforcohen edhe më shumë nga dëshmia e gjeneralit Clark”, ka përfunduar avokati Ardian Bajraktari.