Lidhur me procesin zgjedhor në komunën e Mitrovicës akoma qëndrojnë pikëpyetje të mëdha, se çfarë ka ndodhur me fletëvotimet.
Por ndërkohë ka edhe pikëpyetje të tjera që duhet t’u jepen përgjigje.
Ajo që vërehet qartë nëse i krahasojmë dy raundet është dallimi i madh i votave për subjektet politike.
Çuditrisht, pavarësisht koalicioneve mes PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, Arian Tahiri i PDK-së mori 167 vota më pak se në raundin e parë; në raundin e parë mori 15,708 vota, duke i përfshirë edhe votat nga diaspora, ndërsa në raundin e dytë, sipas rezultateve nga rivotimi, mori 15,541 vota.
Pavarësisht këtij koalicioni para balotazhit, Faton Peci mori 2004 vota më shumë sesa në raundin e parë.
Çudia tjetër është se në këtë komunë, çuditërisht, në krahasim me komunat e tjera, është rritur përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje. Në raundin e parë përqindja e pjesëmarrjes ishte 38.77%, ndërsa në raundin e dytë 39.87%.
Në kontekst të kësaj dhe të shfaqjes së parregullsive në fletëvotime, ku si shkak edhe u bë rinumërimi i votave në Mitrovicë, a nuk do të ishte më e duhura që të përsëriteshin votimet në këtë komunë? Këtë e ka kërkuar edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe shumë figura publike.
Se çfarë do të ndodhë në këtë drejtim dhe çfarë verdikti do të japin institucionet e rendit, mbetet të shihet në ditët në vijim.