Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka reaguar pas dorëheqjes së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, duke e cilësuar atë si një akt politik e personal përgjegjësie, dhe jo moment dobësie.
“Dorëheqja e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës është një vendim që e respektoj dhe e vlerësoj si akt politik dhe personal përgjegjësie. Ky nuk është moment dobësie, por moment përgjegjësie dhe uniteti”, ka shkruar Berisha.
Ai theksoi se ky është një moment reflektimi për të gjithë në PDK, por njëkohësisht edhe një mundësi për t’u konsoliduar dhe për ta forcuar orientimin e partisë.
“PDK është ndërtuar mbi parime të qarta të lirisë, përgjegjësisë dhe shtetndërtimit, dhe këto vlera nuk varen nga një emër, por janë themel i përbashkët i gjithë strukturës sonë politike”, thekson ai, duke shtuar se partia ka institucione të qëndrueshme dhe kulturë demokratike që garantojnë vazhdimësinë politike e organizative.
Sipas Berishës, vendimi i Memli Krasniqit për dorëheqje është për t’u respektuar.
“Është për t’u respektuar reflektimi dhe vendimi i Memlit, i cili e ka marrë drejtimin e partisë në një moment të vështirë, pas arrestimit të dy liderëve kryesorë dhe dorëheqjes së Enverit”,
Ai vlerësoi se Krasniqi arriti ta ndalë rënien e partisë dhe ta nisë rritjen politike, duke e bërë PDK-në faktor relevant në skenën politike.
Berisha theksoi se PDK duhet të fokusohet në tri shtylla të reja: besueshmëri, përgatitje dhe përgjegjësi.
“Ne duhet të rikthejmë besimin e qytetarëve se PDK është dhe mbetet alternativa më serioze për qeverisje… Partia duhet të hapet edhe më shumë, të afrojë gjeneratën e re të profesionistëve dhe të rifreskojë energjinë politike me ide dhe standarde të reja udhëheqëse”,
Në fund, Berisha përmbylli mesazhin e tij me theksin se PDK hyn në një fazë të re politike, e cila kërkon reflektim, bashkim dhe vizion të qartë për të ardhmen e vendit.
“Ky është momenti për të kthyer fokusin nga postet te misioni, nga individët te vlerat dhe nga reagimi politik te ndërtimi institucional. Historia e PDK-së është historia e shtetësisë së Kosovës. Detyra jonë tani është të shkruajmë edhe të ardhmen e saj.”