Gazetari Jusuf Bytyqi, i ftuar në emisionin “N’Pult” në TV Arbëria, ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke u ndalur posaçërisht te situata në Drenas dhe marrëdhëniet e tensionuara pas kandidimit të Petrit Hajdarit dhe fitores së Ramiz Lladrovcit.
Sipas Bytyqit, këto ngjarje kanë nxjerrë në pah ndarje të brendshme dhe pakënaqësi të akumuluara brenda subjektit.
“Posaqërisht nga kandidimi i Petrit Hajdari në krye të degës të PDK-së për të qenë edhe kandidat për kryetar të komunës dhe refuzimi i kryetarit të tanishëm të Drenasit, Ramiz Lladrovci, shihet se ka një plasaritje”, ka deklaruar ai.
Bytyqi tha se fillimisht kishte menduar se këto ishin vetëm tendenca të zmadhuara, por sipas tij, fushata zgjedhore e ka bërë të qartë ekzistencën e këtyre përçarjeve.
“Ndonjëherë edhe kam menduar se ato tendenca disa të zmadhuara pa nevojë, por megjithatë dolën spekulimet gjatë fushatës dhe kulmi i pakënaqësisë së njerëzve edhe brenda vetë PDK-së, jo vetëm në Drenas por në gjithë Kosovën, arriti kur Ramiz Lladrovci fitoi madje edhe pa balotazh”, tha ai.
Sipas gazetarit, përkundër angazhimit të madh të strukturave qendrore të partisë për ta përkrahur kandidatin zyrtar, fitorja e Lladrovcit pa balotazh ka treguar se baza e PDK-së ishte e ndarë.
“Pra, e mundi kandidatin e PDK-së, për të cilin ishin angazhuar e gjithë kryesia qendrore e PDK-së që ta ndihmojnë në kuadër të fushatës. Njëjtë patën bërë edhe në fushatën para katër viteve, edhe atëherë e patën mbështet Ramiz Lladrrovcin kryesia e PDK-së, por interesant atëherë kandidati që doli nga dega e PDK-së si pakënaqësi me vendimin e kreut të partisë pati hyrë në balotazh dhe kjo ndodhi me Ramiz Lladrovcin”, ka theksuar Bytyqi.
Ai ka theksuar se refuzimi i Lladrovcit nga kryesia qendrore e PDK-së ka qenë momenti që ka nxitur më së shumti pakënaqësitë brenda partisë.
“Në momentin kur e refuzon kryesia e partisë qendrore është kulmi i pakënaqësive, jo vetëm brenda atyre njerëzve që kanë qenë në pushtet komunal, qofshin drejtorë apo në kuvend komunal, qofshin anëtarë apo edhe simpatizantë që i ka favorizuar për t’i punësuar Ramiz Lladrovci gjatë mandateve të tij, apo familjet e tyre që natyrisht kur punësohet një njeri, përfiton edhe familja”, tha ai.
Sipas Bytyqit, kjo ka bërë që të rritet numri i atyre që e kanë përkrahur Lladrovcin, pavarësisht vendimit të partisë.
“Kështu që është rritur numri i atyre dashamirëve që e kanë përkrahur edhe përkundër vendimit që të caktohet një kandidat tjetër”, u shpreh gazetari.
Në fund, Bytyqi theksoi se kërkesat për reflektim nga ana e kryetarit të dorëhequr, Memli Krasniqi, kanë ardhur kryesisht nga baza e partisë.
“Dhe zërat që të japë dorëheqje, interesant, jo që kanë dalë nga njerëz që kanë qenë në kryesi të qendrës, as të kryesisë së degëve, por ka pasë aktivistë të degëve që kanë bërë tifo ndaj Ramiz Lladrovcit dhe vazhdimisht kanë kërkuar që të reflektojë Memli Krasniqi”, përfundoi Jusuf Bytyqi në emisionin “N’Pult”.