Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Një rrëfim i prekshëm nga Deçani” — Gruaja që u pagëzua në Rugovë: “Tash jam e qetë, edhe vdekja po të më trokasë”

“Një rrëfim i prekshëm nga Deçani” — Gruaja që u pagëzua në Rugovë: “Tash jam e qetë, edhe vdekja po të më trokasë”

Një rrëfim emocional është publikuar nga Pater Ndue Kajtazi, i cili ka ndarë fjalët prekëse të Zyrafete Sumës nga fshati Strellc i Epërm i Deçanit — e cila pas pagëzimit të saj mori emrin Zojë.

Në një postim të shpërndarë në rrjete sociale, Zojë Suma tregon se dashurinë për Krishtin e kishte ndier që në fëmijëri, duke kujtuar me mall momentet kur vizitonte të afërmit në Gjakovë.

Krishtin si fëmijë e kam kërkuar dhe e kam ndier thellë në zemër gjatë gjithë jetës sime. Kur shkoja për vizitë tek dajtë në Gjakovë, i shikoja me ëndje motrat dhe vëllezërit e mi katolik teksa ishin radhitur shkallëve për t’u futur në Kishë… në ta e shihja një botë tjetër dhe kisha shumë dëshirë që të isha edhe unë në mesin e tyre. Më dukej vetja e humbur”, rrëfen ajo.

Zojë kujton se tingulli i këmbanës së kishës dhe kënga e gjelit e bënin të ndjente thirrjen e Zotit, të cilin e lidhi me besimin e të parëve të saj.

Sa herë që këndonte gjeli ose binte këmbana e Kishës, ishin një sinjal se mua po më kërkon Zoti. Kjo melodi më zgjonte ndjenjat se Zoti po më thërret, e bashkë me të edhe stërgjyshërit e mi sikur çoheshin nga varret e më thonin: ‘forcojeni besëlidhjen e të parëve tuaj!’”.

Ajo shprehet se momenti i pagëzimit ka qenë më i veçanti në jetën e saj.

Në Pagëzim jam ndier shumë e lumtur, e lehtësuar dhe e çliruar krejtësisht. Tash edhe vdekja po të më trokasë, jam e qetë. E falenderoj Zotin prej toke gjer në qiell se nuk do të kalojë nga kjo jetë si e verbër”, shkruan ajo.

Në fund të rrëfimit të saj të ndjerë, Zojë falënderon të gjithë për uratat dhe mbyll me fjalët:

Ju vëllezër e motra, ju falenderoj për uratët, paçi bekimin e Zotit! Qoftë lëvduar Jezusi Krishti!”