Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ekonomisti: “Mosformimi i institucioneve dhe rritja e çmimit të energjisë po e shtyjnë përpara inflacionin në Kosovë”

Ekonomisti: “Mosformimi i institucioneve dhe rritja e çmimit të energjisë po e shtyjnë përpara inflacionin në Kosovë”

Në një përgjigje për Arbëria TV, ekonomisti Jakup Bellaqa ka folur për rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe energjisë në Kosovë, duke theksuar se inflacioni po vazhdon të përshpejtohet në muajt e fundit të këtij viti.

“Rritja e çmimeve të produkteve elementare bazike vazhdon edhe tutje, për këtë është dëshmi publikimi i fundit i ASK-së, se për muajin tetor të këtij viti inflacioni është prej 5.1%”, ka deklaruar Bellaqa për Arbëria TV.

Ai ka shtuar se kjo tregon një trend rritës të qëndrueshëm gjatë vitit.

“Në muajt e fundit të këtij viti, p.sh. korriku i këtij viti inflacioni mujor ishte 4.3%, pastaj gushti 4.5%, shtatori 4.7% si dhe tetori 5.1%,” ka sqaruar ai.

Sipas Bellaqës, në këtë rritje ndikojnë disa faktorë të brendshëm ekonomikë, përfshirë edhe energjinë elektrike.

“Në qershor është rritur çmimi i energjisë elektrike prej 16.1%, që ka ndikuar në zinxhirin furnizues”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur gjithashtu se kriza institucionale ka ndikuar negativisht në stabilitetin ekonomik.

“Mosformimi i institucioneve qendrore si i Parlamentit dhe Qeverisë qendrore ka bërë që ekonomia dhe proceset ekonomike disi të dalin nga binarët normale”, ka theksuar Bellaqa.

Ekonomisti ka kritikuar mungesën e një ligji që do të ndihmonte në kontrollin e çmimeve të produkteve bazë.

“Mos përgatitja e një projektligji për produktet elementare bazike, ku duhet të caktohet marzha për çmimet tavan dhe çmimet dysheme, ka ndikuar gjithashtu”, ka shtuar ai.

Në fund, Bellaqa ka theksuar se një ligj i tillë do të ndihmonte në balancimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

“Në mënyrë që të kemi çmime të ekuilibruara, ku ato do të formoheshin sipas forcës së ofertës dhe kërkesës, sipas kostos direkte dhe sipas rajonit”, ka përfunduar ai për Arbëria TV.