Analisti politik Muhamed Bytyqi, i ftuar në emisionin Arb Debat në TV Arberia, ka komentuar zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës dhe ka fokusuar vëmendjen te situata në Mitrovicën e Jugut.
“Ne e kemi përcjellur edhe raundin e parë edhe të dytin në zgjedhje lokale në Republikën e Kosovës, ajo çfarë kemi parë të gjithë ne ka qenë një proces i rregullt, mirëpo tash çka po vazhdon të diskutohet në mënyrë masive është rasti i Mitrovicës,” tha Bytyqi.
Ai shtoi se procesi në këtë komunë mund të konsiderohet tashmë i kontripimintuar, pasi shumë fletëvotime janë në shpërputhje me numrat serikë.
“Ky është problem thelbësor për kredibilitetin e natyrës së fletëvotimeve dhe shto këtu edhe ngutjen për verdikte nga ana e pushtetit,” theksoi ai.
Bytyqi gjithashtu nënvizoi se interesimi për pushtetin në Mitrovicën e Jugut ka qenë i lartë dhe gara ishte shumë e ashpër. “Dyshimet për keqpërdorime, për një dyndje të krejt pushtetit qendror në atë komunë e kanë bërë procesin jashtëzakonisht të dyshimt dhe mendoj që aty tashmë e kanë kthyer procesin përmbysë sepse aty askush më nuk i beson atij procesi pas krejt atyre lajmeve që i kemi marrë këto ditët e fundit,” tha ai.
Ai shtoi edhe lidhjen e mundshme të kompanisë sllovene që ka shtypur fletëvotimet me figura të gabuara me një person të lidhur me pushtetin. “Kjo po e thellon edhe më shumë skandalin nëse guxojmë ta quajmë në atë komunë. Ngutja e KQZ-së për deklarim të shpejtë, ngutja e kompanisë për deklarim pa mbledhur faktet, ndërrimi i prokurorëve të rastit, dërgimi i inspektoriatit policor – në fund të ditës ka shkuar dikush ta hetoj rastin, le ta hetojë sepse nuk ka asgjë të keqe nga e vërteta. Në Mitrovicë ka shumë rëndësi të dihet e vërteta,” përfundoi Bytyqi.