Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke shprehur përkrahjen e tij të plotë për Bedri Hamzën, që pritet të marrë drejtimin e partisë.
Në një postim publik, Lladrovci ka theksuar se PDK është vet liria dhe shteti i Kosovës, duke falënderuar strukturat e partisë për mbështetjen që i kanë dhënë në çdo situatë.
“Faleminderit qytetarëve të Drenasit që besuan në zotimin tim se s’ka bir nane që më largon nga PDK-ja. Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë dhe udhëheqësve të PDK-së ka qenë i madh”, ka shkruar Lladrovci.
Ai e ka përshëndetur hapin e pritshëm të dorëheqjes së Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit, duke e quajtur këtë një proces të natyrshëm demokratik brenda partisë dhe një mundësi për rinovim.
“Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi, duhet përshëndetur, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza”, ka shtuar Lladrovci.
Kreu i Drenasit tha se të jesh lider i PDK-së është përgjegjësi e madhe, sepse kjo parti buron nga Drejtoria Politike e UÇK-së dhe mban barrën historike të shtetndërtimit të Kosovës.
Në fund, ai ka uruar suksese të mëtejme për partinë dhe udhëheqësit e saj, duke e quajtur PDK-në “parti të liderëve të luftës dhe të paqes”.