Rrjeti i Organizata Joqeveritare AVONET ka shprehur shqetësim dhe indinjatë për inaugurimin e projektit të papërfunduar të kyçjes së komunës së Vitisë në autostradën “Arbër Xhaferi”. Ceremonia u zhvillua pa praninë e kryeministrit dhe ministrave, duke marrë pjesë vetëm kandidati për kryetar komune, Arsim Ademi.
AVONET thekson se ky projekt nuk është i ri dhe nuk është përfunduar, duke shtuar se faza e parë është iniciuar vite më parë nga ish-ministri Bajram Hasani gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt. Organizata kritikoi qeverinë aktuale për mosavancimin e projektit dhe përdorimin e tij si mjet për propaganda elektorale pak orë para procesit zgjedhor.
“Ky veprim është një abuzim me besimin e qytetarëve, një mashtrim publik dhe një fyerje për qytetarët e Vitisë, të cilët presin përfundimin real të këtij projekti,” deklaron AVONET.
Organizata i bën thirrje institucioneve qendrore të ndalojnë praktikën e manipulimit me opinionin publik dhe të respektojnë transparencën, përgjegjësinë dhe dinjitetin e qytetarëve, duke theksuar se zhvillimi lokal nuk është pronë partiake, por e drejtë që u takon qytetarëve.
