Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Lladrovci me mesazh të fortë: “Analistët e paguar e kanë kot, unë s’dal nga PDK”

Lladrovci me mesazh të fortë: “Analistët e paguar e kanë kot, unë s’dal nga PDK”

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke i cilësuar si “të kota” dhe “të pavlefshme” përpjekjet për ta larguar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Në reagimin e tij, Lladrovci ka theksuar se angazhimi i tij politik është i pandashëm nga vlerat që i ka shërbyer gjatë gjithë jetës, duke përfshirë edhe kontributin në luftën çlirimtare dhe ndërtimin e shtetit.

“Mendim kam pasur edhe kur ishte i ndaluar, veprim kam pasur edhe kur ishte i ndëshkueshëm, aksion kam ndërmarrë edhe kur mund të më kushtonte me jetë, prandaj i kam thënë vetes – ndjek rrugën e nderit, pavarësisht çmimit”, ka shkruar Lladrovci.

Ai është shprehur se çdo përpjekje për ta njollosur politikisht është e dështuar dhe se “boja e zezë e shpifjeve do të mbetet pronë e atyre që e përhapin.”

“Sot, para matjes finale në zgjedhjet lokale, mendoj se analistët e paguar për të më nxjerrë jashtë PDK-së e kanë të kotë. Tendenca për të më njollosur nga disa anë është e padobishme dhe boja e zezë që ata persona bartin kundër meje do të mbetet pronë e tyre”, ka theksuar ai.

Lladrovci u ka uruar fitore kandidatëve të PDK-së në zgjedhjet e së dielës, duke i cilësuar rezultatet e tyre si fitore për heronjtë e luftës dhe për ndërtuesit e shtetit.

“Fitorja e kandidatëve të PDK-së do të jetë fitore për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, për themeluesit dhe ndërtuesit e shtetit, të subjektit politik i cili nuk guxon të ndalet. Po u ndal PDK, ndalet Kosova”, ka deklaruar kryetari i Drenasit.

Ai ka shtuar se mbetet i përkushtuar ndaj vlerave kombëtare dhe se “as mercenarët, as profiterët e rastit” nuk mund ta zbehin kontributin e tij në politikë dhe në shërbim të vendit.

“Kontributin tim jetësor në rrugën e përbashkët me bijat e bijtë më të mirë të kombit nuk mund ta zbeh askush. Këtë rrugë e kam detyrim, për të shkuarën dhe të tashmen, për një të ardhme më të mirë për shtetin dhe kombin”, ka përfunduar Lladrovci.