Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Hisen Berisha: “Kur bie frika, bie edhe regjimi” – akuzon Presidenten dhe Vetëvendosjen për “abuzim me Kushtetutën”

Hisen Berisha: “Kur bie frika, bie edhe regjimi” – akuzon Presidenten dhe Vetëvendosjen për “abuzim me Kushtetutën”

Ish-deputeti, Hisen Berisha, ka reaguar ashpër ndaj shtyrjes së seancës për votimin e mandatarit të dytë për kryeministër, duke e cilësuar këtë si “shenjë frike nga dështimi” të pushtetit aktual.

Në një postim të publikuar sot, Berisha ka thënë se shtyrja e seancës është bërë për të shmangur humbjen politike në prag të balotazheve komunale.

“Kishte zëra se do të mbahej sot, por të pushtuar nga frika se ashtu siç dështoi i mandatuari i parë, Kurti, për të siguruar shumicën, po ashtu do të dështoj edhe Konjufca… ata zgjodhën ta shtyjnë seancën – për të shmangur turpin elektoral”, ka shkruar Berisha.

Sipas tij, mazhoranca aktuale po përdor frikën dhe varfërinë për të mbajtur pushtetin.

“Ky pushtet jeton vetëm për aq sa mund të frikësojë, të kërcënojë e të kontrollojë. Por asgjë nga këto nuk funksionon më. Njerëzit janë të lodhur nga mashtrimi, nga varfëria e programuar dhe nga arroganca e një qeverie që u mburret se mbështet 420 mijë qytetarë me ndihmë sociale”, ka theksuar ai.

Berisha ka kritikuar edhe Presidenten e vendit, duke thënë se ajo “ka humbur neutralitetin institucional” dhe po vepron si “palë politike”.

“Presidentja, e cila duhej të ishte garant i neutralitetit institucional, po vepron si palë politike, duke i shërbyer mbetjes në pushtet të partisë së preferuar dhe duke kalkuluar përfitimin personal me pyetjen: ‘Ku jam unë?’”, ka shkruar ai.

Deputeti i PDK-së ka paralajmëruar se dekreti për nominimin e Glauk Konjufcës si mandatar është “i kontestueshëm” dhe duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

Në fund të reagimit, Berisha e ka cilësuar të dielën e balotazhit si “referendum kundër mashtrimit politik dhe abuzimit me pushtetin”.

“E diela është më shumë se një balotazh për komunat – është një referendum kundër mashtrimit politik, kundër varfërisë së qëllimshme dhe kundër abuzimit me pushtetin. Populli do të votojë për t’u çliruar nga frika. Dhe kur frika bie – bie edhe regjimi”, përfundon reagimi i tij.