Pas ngjarjes së datës 1 nëntor 2025, ku një shtetas i Republikës së Kosovës me nacionalitet serb, M.V., u plagos dhe më pas u rrëmbye nga xhandarmëria serbe në territorin e Kosovës, afër zonës së Leposaviqit, reagimet institucionale nuk kanë munguar. Rasti, sipas autoriteteve, përbën një shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një prononcim për TV Arbëria, ka vlerësuar se incidenti është një provokim i radhës nga Serbia, e cila, siç thotë ai, “në vazhdimësi ashtu si edhe në të kaluarën është duke provokuar situatën në atë pjesë të shtetit tonë”.
Berisha thekson se zgjidhja e vetme afatgjatë është vendosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) përgjatë vijës kufitare Kosovë–Serbi.
“Zgjidhja është e lehtë për t’u kuptuar – vendosja e FSK-së në vijën kufitare Kosovë–Serbi. Mirëpo, për ta arritur këtë, kërkohet marrëveshje me faktorin ndërkombëtar dhe KFOR-in, sepse sipas një marrëveshjeje të mëhershme, mandatin për ruajtjen e kufirit Kosovë–Serbi e ka KFOR”, tha Berisha.
Duke komentuar vizitën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në vendin e ngjarjes, eksperti e cilësoi atë si një veprim të domosdoshëm dhe të qëlluar.
“Inspektimi i vendit të ngjarjes nga ministri Sveçla tregon qartë se Kosova është shtet stabil dhe funksional, me organe të sigurisë që ofrojnë mbrojtje dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallime”, deklaroi ai.
Berisha shtoi se ministri Sveçla “ka dëshmuar dhe po e dëshmon se kontributi i tij është në shkallën më të lartë të profesionalizmit në parandalimin dhe luftimin e krimit në gjithë territorin e Kosovës”. Sipas tij, vizita e ministrit nuk ishte vetëm një veprim simbolik, por një mesazh i qartë se institucionet e Kosovës janë të gatshme të mbrojnë çdo centimetër të territorit të vendit.