Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kabashi: “Elektorati duhet të jetë racional dhe të votojë ata që janë më të mirë për Kosovën”

Kabashi: “Elektorati duhet të jetë racional dhe të votojë ata që janë më të mirë për Kosovën”

Publicisti Bajram Kabashi, i ftuar në emisionin “N’Pult” në Televizionin Arbëria, ka folur për zgjedhjet lokale në Kosovë, duke shprehur shpresën se problemet që janë evidentuar në proceset e kaluara zgjedhore do të tejkalohen këtë herë.

Shpresoj se do të tejkalohen disa probleme që ishin të theksuara në zgjedhjet e kaluara. Unë besoj që elektorati çdo herë e më shumë do të jetë një elektorat racional, i cili do t’i votojë ata që mendon që janë më të mirë dhe më të përshtatshëm dhe i kryen më shumë detyrat, konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kabashi.

Ai ka theksuar rëndësinë e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, pavarësisht përkatësisë etnike.

Mendimi im është që pavarësisht kush të vjen në pushtetin lokal tash, të mos bëhet asnjë lëshim në kuptimin e respektimit të lirive dhe të drejtave njerëzore dhe se të gjithë banorët e Republikës së Kosovës të trajtohen njësoj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, ka thënë ai.

Kabashi është pyetur edhe për koalicionet politike që janë krijuar ndërmjet dy raundeve të zgjedhjeve, të cilat shpesh kanë shkaktuar reagime të opinionit publik.

Ka pasur koalicione në periudhën prej zgjedhjeve e deri në balotazh dhe ka pasur koalicione që kanë zgjuar reagime të opinionit publik për faktin që në njërën anë të nivelit qendror është sulmuar Albin Kurti ose nga Vetëvendosja janë sulmuar ata, por në rrafshin lokal kemi parë koalicione. Si i keni parë këto koalicione, a i keni parë si të natyrshme?” — ishte pyetja e parashtruar.

Në përgjigje, Kabashi tha: “Ky tranzicioni që po ndodh në Kosovë po shkon shumë ngadalshëm edhe besoj që ajo që e pengon Kosovën është si një ngujim i botëkuptimeve të njerëzve këtu dhe politike vetëkuptohet. Mendimi im është që nuk duhet të vihet në pushtet në mënyrë të sforcuar edhe në mënyrën e përdorimit të një fjalori që nuk i pëket askujt, një fjalor që i shqetëson të tjerët, një person që pretendon të jetë në një post të caktuar, ai duhet të ketë një fjalor sa më të butë dhe vetëm veprat t’i ketë të forta edhe në favor të vendit”, ka theksuar ai.