Deputeti ukrainas, i cili kohë më parë ka qëndruar në Kosovë, Oleksiy Gonchaernko ka marrë iniciativë të re për njohjen e pavarësisë së vendit tonë nga Ukraina.
Ai ka bërë të ditur se i ka dërguar një peticion presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyt me kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“I dërgova një peticion Presidentit të Ukrainës me kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nëse peticioni mbledh 25 mijë nënshkrime, presidenti duhet t’i përgjigjet. Ukraina tani duhet ta mbështesë Kosovën”, ka shkruar ai në Twitter.
Deputeti më tutje ka renditur arsyet pse duhet të njihet pavarësia e Kosovës duke thënë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, përfshirë SHBA-në, si dhe nga shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s gjersa “në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së pranoi se shpallja e sovranitetit shtetëror të Kosovës nuk bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, nuk shkel asnjë rezolutë dhe akt ndërkombëtar”.
“Rusia nuk e njeh Kosovën dhe i konsideron këto toka si serbe. Në të njëjtën kohë, propagandistët e Kremlinit pretendojnë se është e nevojshme të vendoset “i njëjti rend si Putini më 24 shkurt” në Ballkan.Dhe përfaqësuesit e partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq folën për “denazifikimin e Ballkanit”. Rusia, së bashku me Serbinë, po përpiqet të nisë një luftë, duke i justifikuar veprimet e saj si çështje kombëtare”, shkruan më tutje.
Ai thotë se me njohjen e pavarësisë së Kosovës do të dëshmojë mbështetjen dhe solidaritetin e Ukrainës në luftën për integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij shteti.“Rezoluta ime për njohjen e pavarësisë së Kosovës qëndron në Verkhovna Rada pa marrë parasysh. Prandaj, me këtë peticion, së bashku me publikun, kërkojmë nga presidenti i Ukrainës që sa më shpejt të marrë një vendim lidhur me Kosovën”, përfundoi ai. /TV Arbëria