Analisti politik Afrim Kasolli në “Arb Debat” me Rid Berishën ka folur për aktualitetin politik dhe zgjedhjet lokale të raundit të dytë të balotazhit.
Kasolli: Kurti e ka jetike fitoren në Mitrovicë, për ta testuar narracionin e tij për katër vite për “çlirimin e veriut”.
Kasolli thotë se për Albin Kurtin, kreun e VV-së, fitorja në Mitrovicë është jetike.
“Humbja e tij në qytetin e Mitrovicës është refuzim i qytetarëve të atij qyteti për gjithë mënyrën se si ai e ka konceptuar misionin e tij politik. Ky është mesazhi nëse humb. Prandaj e ka jetike, në Mitrovicë nuk është duke garuar vetëm për ta administruar një komunë, por angazhimi i tij tregon që në Mitrovicë është i angazhuar për ta testuar narracionin e tij për katër vjet që e ka ndjekur, dhe për të parë nëse ai po pranohet apo jo, sidomos nga qytetarët e asaj zone”.
Kasolli për Ramiz Lladrovcin: Nga përfaqësues lokal në figurë nacionale, ia arriti të dalë si viktimë e një komploti të brendshëm të klaneve të PDK-së
Mes tjerash, Kasolli flet edhe për garën që u bë për një muaj mes PDK-së dhe Ramiz Lladrovcit, pasi ky i fundit nuk u rikandidua nga kjo parti. Kasolli thotë se Lladrovci ia arriti ta bindë opinionin publik se ishte viktimë e një komploti të brendshëm të PDK-së.
“Deri kur u krijua kjo armiqësi ndërmjet strukturës qendrore të PDK-së dhe Ramiz Lladrovcit, nuk është se personaliteti i Lladrovcit ka gëzuar ndonjë reputacion të madh kolektiv në gjithë territorin e Kosovës. Dhe është e pashpjegueshme në kuptimin logjik, normal politik, si ndodh që një figurë përfaqësuese lokale e një qyteze të shndërrohet befas në një lloj figure nacionale.
Lladrovci ia arriti ta transmetojë mesazhin në opinionin publik se ishte viktimë e një komploti të brendshëm të klaneve drejtuese të subjektit të tij politik. Në çdo qytet, tema e Lladrovcit ka qenë temë kryesore dominuese”
Kasolli: Autoriteti politik i Albin Kurtit është i pakrahasueshëm me atë të Memli Krasniqit
Kasolli – Memli Krasniqit: Mos shko në Mitrovicë sepse i shkakton humbje kandidatit tuaj
“Kam thënë se mbase do të ishte më e udhës që betejën e Mitrovicës ta zhvillojnë siç e ka nisur struktura drejtuese lokale e kësaj dege të PDK-së, Arian Tahiri si trashëgimtar i zotit Bedri Hamza, sepse nëse do të ketë impenjime të tjera, kjo betejë atëherë do të marrë vëmendje tjetër, betejën ndërmjet Albin Kurtit dhe Memli Krasniqit në nivel nacional. Atëherë ne e dimë të gjithë që autoriteti politik i Albin Kurtit është i pakrahasueshëm me atë të Memli Krasniqit. Ai është edhe vetë i vetëdijshëm për këtë paradoks, sepse po të mos ishte edhe në nivel nacional, nuk do t’ia linte vendin Bedri Hamzës për kryeministër”, shton ndër të tjera Kasolli.