Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Xhandarmëria serbe hyri në Kosovë edhe më 15 tetor, publikohen pamjet

Xhandarmëria serbe hyri në Kosovë edhe më 15 tetor, publikohen pamjet

Ushtarë të armatosur të xhandarmërisë serbe kanë kaluar kufirin në fshatin Rakinicë të Podujevës, duke hyrë në territorin e Kosovës më 15 tetor. Këtë incident e ka konfirmuar misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.

Pamjet janë publikuar nga TV Dukagjini, i cili posedon që nga mesi i tetorit një video ku shihen forcat serbe teksa kalojnë kufirin në pjesën veri-lindore, saktësisht në afërsi të Orllanit.

“Ne jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Ne ishim në kontakt me Forcat e Armatosura Serbe. Bazuar në informacionin e tyre, personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve. Sapo kuptuan se kishin kaluar Vijën Kufitare Administrative (ABL), ata u kthyen menjëherë në anën e Vijës Kufitare Administrative të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Mediumi ka kërkuar konfirmim nga Policia e Kosovës që nga data 20 tetor, por ky institucion nuk ka kthyer ende përgjigje. Heshtje ka pasur edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Banorët e zonës, të cilët kanë filmuar ngjarjen, kanë konfirmuar për televizionin hyrjen e ushtarëve serbë, megjithëse nuk kanë pranuar të deklarohen publikisht.

Sipas tyre, gjatë incidentit, pjesëtarët e xhandarmërisë serbe kanë ofenduar dhe sharë banorët, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar edhe traktori.

Ditë më parë xhandarmëria serbe hyri në territor të Kosovës në veri, kidnapoi një qytetar dhe u largua.