Analistja Zana Avdiu ka reaguar pas vrasjes së dyfishtë që ka ndodhur sot, duke e cilësuar ngjarjen si rezultat të mosveprimit institucional dhe të një kulture të dhunshme shoqërore që, sipas saj, vazhdon të tolerojë dhunën në familje.
Në një postim në Facebook, Avdiu ka kujtuar se, sipas mediave, autori i krimit kishte qenë më herët në burg për dhunë në familje.
“Sipas mediave, në prill autori i krimit kishte qenë në burg për dhunë në familje. Sot vrau dy persona para shtëpisë së tyre”, ka shkruar ajo.
Ajo ka theksuar se një zinxhir i mosveprimit institucional çon drejtpërdrejt në ngjarje tragjike si kjo.
“Kështu funksionon zinxhiri i mosveprimit: dhuna ndaj grave shpërfillet, autorët lirohen, dhe përfundimi është tragjedia si kjo e sotmja”, ka thënë Avdiu.
Sipas saj, përveç dështimit të institucioneve, një pjesë e madhe e problemit lidhet edhe me mënyrën se si shoqëria e trajton dhunën në familje.
“Ky veç që është dështim institucional, është edhe pasojë e një edukimi të dhunshëm shoqnor, i rrënjosur thellë në mënyrën si rritemi, si justifikojmë dhunën dhe si e heshtim viktimën,” ka shtuar ajo.
Avdiu ka përfunduar reagimin duke theksuar se rastet e tilla do të përsëriten derisa dhuna në familje të mos trajtohet si krim i vërtetë.
“Derisa dhuna në familje të mos trajtohet si krim, por si ‘mosmarrëveshje familjare’, raste të tilla do të përsëriten”, ka përfunduar Avdiu.