Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se edhe një herë i ka pyetur partnerët perëndimor nëse do t’i respektojnë marrëveshjet që i kanë bërë vetë.
Në një video-mesazh për qytetarët e Serbisë të publikuar në Instagram, Vuçiq ka thënë se ka kërkuar nga Perëndimi që t’i tregojë se cilin nga pesë apo gjashtë dokumentet e rëndësishme duan të respektojnë.
“Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi arritur dokumentin e gjashtë, shumë të rëndësishëm të BE-së nga viti 2003, dokumentin e famshëm të Selanikut, për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor”, shpjegoi Vuçiq.
Vuçiq shtoi se në Marrëveshjen e Selanikut ekziston një klauzolë që thotë se do të mbështetet zbatimi i Rezolutës 1244.
“Dhe në dritën e paraqitjes së aplikimit për anëtarësim në BE të Kosovës, pyetja ime është nëse do të respektojnë dokumentet që kanë sjellë vetë, qoftë edhe atë historik nga Selaniku, sepse në pikën 5 të dokumentit të Selanikut thuhet se ajo mbështet plotësisht zbatimin e Rezolutës 1244. Pra, pyetja ime sot është se cilin nga këto gjashtë dokumente dëshironi të respektoni dhe ne do të pajtohemi absolutisht”, tha Vuçiq. /TV Arbëria