Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Shqiptaria” reagon pas mbylljes së shoqatave islamike në Gjermani: Rreziku i islamit politik kërcënon identitetin shqiptar

“Shqiptaria” reagon pas mbylljes së shoqatave islamike në Gjermani: Rreziku i islamit politik kërcënon identitetin shqiptar

Organizata “Shqiptaria” ka reaguar me një komunikatë zyrtare lidhur me vendimin e autoriteteve gjermane për mbylljen e shoqatës islamike “Muslim Interaktiv”, e cila akuzohet për veprimtari kundër rendit kushtetues dhe thirrje për kalifat.

Në njoftimin e saj, “Shqiptaria” thekson se zhvillime të tilla tregojnë qartë rrezikun real që paraqet islami politik, duke paralajmëruar se përmes strukturave fetare të maskuara si organizata kulturore apo humanitare, po tentohet të depërtohet në zemrën e Evropës.

Sipas organizatës, disa shoqata dhe xhami që dikur kishin rol të rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, sot janë shndërruar në qendra propagande që ndikojnë negativisht në vetëdijen kombëtare, duke e orientuar rininë drejt një kulture të huaj dhe qëndrimeve kundërperëndimore.

“Shqiptaria” u bën thirrje shqiptarëve në diasporë të mos bien pre e manipulimeve fetare apo politike, por të forcojnë unitetin kombëtar përmes organizimeve kulturore, civile dhe atdhetare.

“Qytetërimi perëndimor është edhe qytetërimi ynë. Shqiptarët nuk kanë nevojë për kalifat, por për vetëdije kombëtare, kulturë dhe bashkim,” thekson komunikata, duke shtuar se mbrojtja e vlerave perëndimore është në thelb mbrojtje e identitetit shqiptar.

Komunikata mbyllet me nënshkrimin e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të Organizatës “Shqiptaria”, me seli në Tiranë, Prishtinë dhe në diasporë, datuar më 5 nëntor 2025.