Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj narrativave që krahasojnë periudhën e pasluftës në Kosovë me kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke e cilësuar këtë si pjesë të një “Lufte Hibride” kundër shtetit të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Ramadani ka kujtuar krimet dhe gjenocidin që Serbia kreu ndaj shqiptarëve gjatë viteve të ’90-ta, duke theksuar se çdo përpjekje për ta barazuar Kosovën e pasluftës me atë periudhë përbën manipulim të qëllimshëm politik e propagandistik.
“Shqiptarët kanë vuajtur apartheidin, dhunën, masakrat, gjenocidin, deportimin masiv dhe shkatërrimin masiv nga Millosheviqi dhe Serbia. Barazimi i kohës pas 1999-tës me atë kohë – pavarësisht rasteve – është Luftë Hibride. Asgjë më pak!” – shkruan Ramadani.
Ai shton se kjo fushatë dezinformimi synon ta paraqesë Kosovën si shtet më mizor se regjimi i Millosheviqit, duke minuar imazhin dhe legjitimitetin e saj ndërkombëtar.
Në reagimin e tij, Ramadani përmend edhe zyrtaren e EULEX-it, Jana Arsovska, e cila sipas tij është pjesë e kësaj “Lufte Hibride” kundër Kosovës, duke akuzuar institucionet për mungesë reagimi.
“#JanaArsovska nuk është vet në këtë Luftë Hibride kundër Kosovës! Prandaj, nuk kanë as guxim dhe as vullnet ta shpallin atë persona non grata! Turpi nuk ndalet!” – përfundon Ramadani.