Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar me një postim emocional në rrjete sociale, duke kujtuar pesëvjetorin e ndalimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.
Lladrovci ka përmendur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerë, duke theksuar se mungesa e tyre pesëvjeçare është padrejtësi ndaj njerëzve që dhanë gjithçka për lirinë e vendit.
“Pesë vjet, liderët tanë të luftës dhe paqes, Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët, nuk janë fizikisht në mesin tonë, nuk janë pranë familjeve, nuk janë të lirë në shtetin për të cilin punuan me përkushtim të jashtëzakonshëm,” shkruan ai.
Në postimin e tij, Lladrovci thekson se veprat e tyre janë të pandashme nga historia e pavarësisë së Kosovës, duke i cilësuar si vazhdim i rrugës së Skënderbeut e Ismail Qemalit.
Ai ka kritikuar ashpër drejtësinë ndërkombëtare, duke e quajtur procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së “njollën më të madhe” të saj.
“Procesi ndaj heronjve tanë të luftës dhe paqes në Hagë do të mbetet njolla më e madhe e drejtësisë ndërkombëtare, tashmë e dëshmuar se është proces i sajuar nga armiqtë tanë, nga burime të pabesueshme dhe të komprometuara.”
Në fund, Lladrovci është shprehur i bindur se aktgjykimi për ta do të jetë lirues, duke shtuar se çdo ditë e qëndrimit të tyre në Hagë është padrejtësi ndaj çlirimtarëve të Kosovës.
“Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën dhe të tjerët i presim me aktgjykim lirues nga akuzat. Ata zhvilluan luftë të drejtë çlirimtare dhe në bashkëpunim me aleatët. Çdo ditë e qëndrimit të tyre larg Kosovës është padrejtësi. Ju presim të pafajshëm, çlirimtarë!”