Analisti politik Blerim Burjani ka komentuar propozimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që Glauk Konjufca të marrë postin e kryeministrit ndërsa ai vet të bëhet ministër i jashtëm. Sipas Burjanit, ky propozim është i pavlefshëm dhe pa gjasa të marrë mbështetje në Kuvend.
“Kjo është e kotë, brumi i njëjtë – jo buka, por kulaqi në gjuhën popullore. Nuk besoj se do të ketë votim për askënd nga Vetëvendosje,” tha Burjani. Ai shtoi se opozita ka qenë dhe mbetet e qartë në qëndrimin e saj ndaj VV-së.
“S’ka vota për këtë kategori njerëzish që nuk janë parti, por grup anarkik, pa rregull dhe pa ndonjë respekt për shtetin, qytetarët e inteligjencën. Nuk besoj se ka gjë prej kësaj pune,” u shpreh ai.
Burjani theksoi se për postin e kryeministrit duhet një figurë me profil të lartë profesional, reformuese dhe me përvojë të gjatë në ekonomi, arsim, shkencë apo biznes.
“Sidoqoftë, Glauku prej tyre dallon në kuptimin e urtësisë politike, por kaq është kjo punë,” përfundoi Burjani.