Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka folur për procesin e mandatimit të Glauk Konjufcës dhe përpjekjet e partisë së saj për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi me partitë e tjera.
Pacolli tha se LVV-ja ka tentuar të krijojë koalicione me disa nga partitë opozitare, por është përballur me refuzime që, sipas saj, nuk kishin bazë parimore.
Ajo akuzoi partitë e tjera se në të kaluarën kanë ndërtuar marrëveshje mbi interesa personale dhe pazare politike, gjë që sipas saj, VV nuk e pranon.
“Ne i kemi parë praktikat e kaluara të këtyre partive dhe udhëheqësve të tyre, të cilët, kur kanë diskutuar për të krijuar qeveri, kanë hyrë në bisedime që për Lëvizjen Vetëvendosje janë të panevojshme, sepse LVV-ja nuk bën pazare me pozita shtetërore. Praktika na tregon se këto parti politike, të cilat ne i kemi ftuar për bashkëpunim, kanë kërkuar përfitime të drejtpërdrejta për kandidatë apo deputetë të caktuar,” u shpreh ajo në teve1.
Pacolli shtoi se gjatë këtyre negociatave janë përmendur edhe kërkesa të papranueshme për poste publike në këmbim të votave.
“Janë bërë edhe llojë shkëmbimesh si ‘një votë për një terminal’ apo ‘një votë për një post ambasadori’. Por LVV-ja nuk hyn në këto diskutime, dhe prandaj jemi aty ku jemi. Ne kemi dashur të kemi një diskutim të sinqertë dhe institucional me ta,” përfundoi Pacolli.