Kosova, duke u përballur me disa kundërshtime, këtë javë do të aplikoj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Proces ky i cili pritet të zgjasë me vite, nëse jo me dekada dhe që varet nga normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë, shkruan Reuters.
Sfidë tjetër mbetet edhe që Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Përveç kësaj, as pesë shtetet e Bashkimit Evropian, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovokia dhe Qiproja, nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Mirëpo, lajmin që Kosova, do të aplikoj këtë javë për t’u anëtarësuar në BE e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e së martës më 13 dhjetor.
“Bashkimi Evropian është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit dhe prandaj vendi i Republikës së Kosovës është në këtë shtëpi të përbashkët si vend që e do paqen”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Kryeministri kishte treguar se janë në kontakt edhe me shtetet mosnjohëse të BE-së.
Tutje, Reuters, ka raportuar se përpara çdo anëtarësimi të mundshëm, “Kosova duhet ta arrijë një marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve”.
Të mërkurën e 14 dhjetorit, është shënuar edhe dita e pestë e bllokimit të rrugëve në Veriun e Kosovës përmes barrikadave të serbëve.
Ndryshe, deri më tani, Kosova ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Gjithashtu, Kosova, më 12 maj kishte dorëzuar edhe aplikimin për Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Ky institucion mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në shtetet anëtare. /TV Arbëria