Një vajzë e mitur nga Prizreni është raportuar e zhdukur që nga data 31 tetor. Bëhet fjalë për 15-vjeçaren Suela Krasniqi, e cila jeton në lagjen Jeta e Re.
Sipas familjarëve, Suela kishte dalë nga shtëpia për t’u takuar me shoqet, por nuk është kthyer më. Rasti është raportuar në polici më 1 nëntor, rreth orës 02:00 të mëngjesit.
Vajza përshkruhet si rreth 1.65 metra e gjatë, me peshë afërsisht 45 kilogramë, flokë dhe sy të zinj.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se njësitë e kërkimit dhe patrullat janë aktivizuar në terren për ta gjetur vajzën sa më shpejt. Ndërkohë, Prokurori i rastit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e kërkimeve intensive.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e Suelës, të kontaktojnë menjëherë policinë në numrin 192 ose në stacionin më të afërt policor.