Komisioni Evropian ka miratuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2025. Në këtë raport i cili është bërë publik të martën më 4 nëntor 2025, thekson se Kosova ka pasur progres të kufizuar e stagnim.
Raporti thekson se Kosova ka pasur përparim të kufizuar në fusha të tilla si pavarësia e gjyqësorit, liria e medias, dhe efikasiteti i administratës publike.
Raporti thekson se bllokadat politike dhe polarizimi kanë penguar funksionimin normal të institucioneve demokratike.
“Pas zgjedhjeve parlamentare, dështimi i Kuvendit për t’u konstituuar ka cenuar seriozisht funksionimin e institucioneve kyçe demokratike”, theksohet në raport.
Përparimi për integrim evropian thuhet se u ndal për shkak të paaftësisë së Kuvendit dhe ngërçit politik pas zgjedhjeve të përgjithshme.
“Pavarësisht angazhimit të qeverisë dhe mbështetjes publike për rrugën evropiane të Kosovës, e shoqëruar me komunikim pozitiv mbi procesin e integrimit në BE, politika e brendshme ndarëse vazhdoi të pengojë zbatimin e agjendës së BE-së. Institucionet përgjegjëse për procesin e integrimit në BE mbeten në vend. Qendërzimi i agjendës së BE-së nganjëherë kufizon pronësinë politike në ministritë përkatëse dhe ngadalëson marrjen e vendimeve. Aktivitetet e integrimit në BE janë ndikuar negativisht nga kapaciteti i dobët administrativ dhe fakti që një numër i madh pozicionesh kyçe në administratën publike mbahen nga zyrtarë në detyrë”, është theksuar më tej.