Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Analisti politik: Propozimi i Konjufcës është akt i mirëseardhur që mund ta shpëtojë vendin nga zgjedhjet e reja

Analisti politik: Propozimi i Konjufcës është akt i mirëseardhur që mund ta shpëtojë vendin nga zgjedhjet e reja

Ditën e nesërme, që është edhe dita kur presidentja Vjosa Osmani duhet të vendos për mandatarin e ri për kryeministër ose të shpallë zgjedhje të parakohshme, analisti politik Gani Qarri ka komentuar dy opsionet që ka në dispozicion presidentja, si dhe pasojat e mundshme politike dhe kushtetuese të secilës prej tyre.

Në një deklarim për TV Arbëria, Qarri ka thënë se “në fakt tash e mbi 9 muaj, Kosova vijon të mbetet nën bllokadë të paprecedent politike dhe përkundër konstituimit të Kuvendit, me mbi 8 muaj vonesa si dhe shtyrjeve të njëpasnjëshme me inskenime klandestine nga subjektet e inkriminuara në parlament të cilat interesat personale dhe partiake i vendosin para interesave të vendit, ai përfundimisht më 10 tetor u konstituua, por megjithatë legjislatura e nëntë, ende nuk ka arritur të formojë edhe qeverinë e re legjitime të Republikës së Kosovës”.

Sipas tij, “edhe në përpjekjet e Presidentes së Kosovës dr. Vjosa Osmani, në takimin më 31 tetor me liderët e partive politike që përfaqësohen në Kuvend, për diskutime mbi çështjen e mandatarit të ri, siç u bë e ditur, pas takimit, nuk u arrit asnjë marrëveshje ndërmjet subjekteve politike, e megjithatë e para e vendit deklaroi se do të bëjë gjithçka që të evitohen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, pasi që presidenten e shtetit e obligon edhe Kushtetuta që të bëjë çdo veprim të mundur ligjor, për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke u dhënë subjekteve politike 10 ditë afat për propozimin e mandatarit të ri për kryeministër”.

Ai ka sqaruar se “kjo periudhë kohore duket se u caktua edhe për faktin se subjekti më i madh politik në vend – LVV, kërkoi nga presidentja një afat prej 10 ditësh për mandatarin e ri, andaj sot më 4 nëntor, me nismën e kryeministrit në detyrë z. Albin Kurti, LVV në vend të tij propozoi z. Gllauk Konjufca për kryeministër në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e treta brenda një viti dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme edhe në dhjetor, pa buxhet të miratuar për vitin 2026, gjë që do ta rrezikonte edhe funksionimin e shtetit të Kosovës”.

Sipas Qarrit, “një akt i mirëseardhur, brenda afatit 10-ditor të caktuar nga presidentja dr. Vjosa Osmani, për mandatarin e formimit të Qeverisë së re të Kosovës, i cili përveçse me të drejtë shihet si propozimi më i mirë i mundshëm dhe kandidati më i preferuar edhe nga subjektet opozitare, siç u shpreh vet z. Kurti, në rrethanat aktuale caktimi i një mandatari të ri ishte domosdoshmëri, që një qeveri në krye me Gllauk Konjufcën ta votojë edhe opozita, në mënyrë që të procedohet buxheti i shtetit nga një qeveri legjitime e fuqiplotë dhe t’i mundësohet edhe presidentes së vendit që të mërkurën më 5 nëntor përfundimisht të vendos për mandatarin e ri, të sapo-propozuar nga LVV për kryeministër”.

Analisti thekson se “në rast votimi dhe krijimit të Qeverisë Konjufca, vendi do të fitonte edhe një ministër të jashtëm me përvojë, mbrojtës të dëshmuar të shtetit të Kosovës, të ngritur profesionalisht dhe me elan të fort diplomatik, si kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti që për herë të parë udhëhoqi vendin me një mandat të plotë dhe realizojë ndryshime thelbësore kushtetuese e ligjore në gjithë vendin, që nga shtrirja e shtetësisë në veri deri te luftimi me vendosmëri i korrupsionit e krimit të organizuar dhe vendosja e Kosovës në vend të parë për rend e ligj në Evropë, si dhe vendin e tretë në botë, gjë që vërtetë është një arritje e paimagjinuar për një kryeministër në suaza ballkanike e më gjerë, vetëm brenda një mandati qeveritar”.

Qarri ka shtuar se “pas mosvotimit të kabinetit qeveritar të paraqitur më 26 tetor nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, nga së paku 61 deputetë të Kuvendit të Kosovës, ky ishte kompromisi më i arsyeshëm, i propozuar në momentin vendimtar dhe i ardhur pikërisht në kohën e duhur për krijimin e qeverisë legjitime dhe institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet kombëtare të 9 shkurtit, akt i mirëseardhur që do ta shpëtojë edhe vendin nga mbingarkesat buxhetore me organizimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare, nëse natyrisht pas mandatatimit të z. Konjufca edhe nga Presidentja, i propozuari i ri për kryeministër votohet edhe nga disa deputetë të opozitës, në vend se Presidentja të detyrohet të shpallë zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat përveç kostos së lartë, vërtetë mund të krijojnë sërish tensione të reja dhe shkaktonin pasoja enorme politike e kushtetuese, për mbarë vendin”.