Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > PDK kërkon zgjedhje të reja: “Vendit i duhet qartësi politike, jo zvarritje për interesa partiake”

PDK kërkon zgjedhje të reja: “Vendit i duhet qartësi politike, jo zvarritje për interesa partiake”

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke e cilësuar situatën aktuale si moment vendimtar për të ardhmen institucionale dhe politike të Kosovës.

Në një deklaratë për media, PDK ka theksuar se është bërë e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, nuk e mbështesin një mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas kësaj partie, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin Vetëvendosjes do të ishte “humbje kohe, zvarritje e panevojshme dhe thellim i mungesës së besimit në institucione.”

“Siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht këtë proces. Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë,” thuhet në reagimin e PDK-së.

Partia e drejtuar nga Memli Krasniqi konsideron se injorimi i këtij realiteti do të thellonte krizën dhe do të dëmtonte stabilitetin institucional të vendit.
Në emër të përgjegjësisë politike, PDK u ka bërë thirrje partive të tjera që t’i japin fund “çdo skeme zvarritëse dhe improvizimi politik” dhe të mos e mbajnë peng shtetin për interesa të ngushta partiake.

Sipas PDK-së, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat do t’i kthenin qytetarëve të drejtën për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se kriza e zgjatur politike gjatë këtij viti ka dëmtuar ekonominë, mirëqenien e qytetarëve dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa rreziku për mosmiratimin me kohë të buxhetit të shtetit mund të çojë deri në vonesa të pagave në vitin e ardhshëm.

PDK ka theksuar se mbetet e përkushtuar të kontribuojë në çdo proces që garanton stabilitet, funksionim normal të institucioneve dhe forcim të demokracisë parlamentare në Kosovë.