Për këto 35 komuna rezultatet përfundimtare ishin shpallur më 25 tetor, por jo edhe për Prishtinën, Junikun e Mamushën, rezultatet  të cilave përfundimtare të së cilave u shpallen sot nga KQZ-ja.

KQZ-ja thotë se ky vendim vjen pas konfirmimit nga PZAP se është përmbyllur vendimmarrja lidhur me procesin e ankesave për këto komuna.

Gjithashtu me 10 vota për, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për anëtarë të 37 Kuvendeve Komunale, por jo edhe për Drenasin, meqë sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për këtë komunë ende ka një ankesë që po trajtohet nga Gjykata Supreme.

“Një njoftim të shkurtër,  sot nuk mund ta bëjmë shpalljen e rezultatit për Drenasin për Kuvende Komunale meqë ende është një ankesë në Gjykatën Supreme. Andaj, sapo të kemi vendimin dhe varësisht nga vendimmarrja, edhe KQZ do të veprojë”, tha Radoniqi.

E pikërisht ankesat e shumta, sipas Radoniqit kishin pamundësuar shpalljen e rezultateve që KQZ-ja sipas tij, i kishte qysh në javën e dytë pas mbajtjes së zgjedhjeve.

“Sa i përket KQZ-së, rezultatet kanë qenë gati qysh javën e dytë pas ditës së zgjedhjeve, por për shkak të ankesave të shumta që ka pasur në PZAP e në Gjykatën Supreme, ne e kemi pasur të pamundur të bëjmë shpalljen e këtyre rezultateve”, sqaroi Radoniqi.

Ndërkohë, sot ka nisur zyrtarisht fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve në garën për kryetar komunash që do të zhvillohet më 9 nëntor.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash do të zhvillohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.